Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, e ka cilësuar një farsë takimin e Kryeministrit Edi Rama në kuadër të asaj që ai e quan si “llogaridhënia publike”.
Spaho shkruan në rrjet se Rama i përdor qytetarët për show, ndërsa llogaritë i jep te krimi.
“Rama filloi sot turin e “llogaridhënies publike”. Një farsë e vërtetë!!! Mjaft ti referohesh gjuhës me të cilën foli sot dhe kupton që e sheh veten si në vitin 2013 dhe jo që qeveris prej pesë vitesh.
Rama qytetarët i përdor për show, llogaritë e vërteta i jep te krimi. Qytetarët i do për vota, shërbimin e ka për oligarkët. Qytetarët do të paguajnë taksa për t’ja dhënë më pas miqve dhe financuesve të tij. Drogë, krim, korrupsion dhe 0 premtime të mbajtura është bilanci 5 vjecar i Edi Ramës.
Vetingu?! Aq shumë e do Rama sa prokuroren e përgjithshme e zgjodhi pa veting. Drejtësia e Edi Ramës është mbrojtje për Tahirin, Beqajn, Gjiknurin , Ahmetajn, Dakon, Sejdinin dhe veten e tij dhe ndëshkim politik për kuksianët që nuk paguajnë dot taksën korruptive të rrugës së Kombit.
Sa do të përpiqesh Edi Rama nuk i hedh dot me hi syve qytetarëve. Protesta në Kukës, ato të biznesit të vogel, protesta e artistëve, protestat kundër inseneratoreve, ato të naftëtarëve tregojnë që durimi i qytetarëve ka sosur dhe fundi yt po vjen me shpejtësi”, shkruan Spaho.