Home Gjeo-Ekonomia Tabaku: Rënia e euros, jo nga rritja ekonomike, po pastrimi i parave...

Tabaku: Rënia e euros, jo nga rritja ekonomike, po pastrimi i parave të drogës

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se bizneset janë vendosur në pozita të vështira për shkak se euro është zhvlerësuar për muaj me radhë.

Ajo thotë se niveli i ulët historik i euros nuk vjen si pasojë e rritjes ekonomike por e parave të pista që vijnë nga trafiku i drogës.

“Për muaj me radhë monedha euro është zhvlerësuar duke vendosur në pozita të vështira bizneset që bëjnë tregti dhe importojnë produkte për t’i shitur në tregun vendas. Qeveria pretendon se zhvlerësimi, pra rënia, e euros në vend vjen si pasojë e përmirësimit të zhvillimeve ekonomike në vend, megjithëse të dhënat reflektojnë se përmirësimet ekonomike nuk janë aq të mëdha sa të zhvlerësojnë euron në të tilla përmasa. Niveli më i ulët historik i euros nuk vjen si pasojë e ekonomisë në rritje por si pasojë e parave të pista që vijnë nga trafiku i drogës. Janë këto para që i bëjnë dëm biznesit të ndershëm, zhvlerësojnë euron në mënyrë fiktive dhe njëkohësisht rreshtojnë Shqipërinë mes vendeve me njollë në raportet e DASH dhe Europol”, thotë Tabaku.

Ajo vijon më tej duke thënë se dy ministra të Brendshëm janë të lidhur me familjarë me trafikun e drogës.

“Nuk është rastësi që dy ministrat e brendshëm të qeverisë janë zbuluar sit ë lidhur me familjarë me trafikun e drogës. Nuk është rastësi që qeveria ka vendosur nën tutelë Prokurorinë e Përgjithshme për të mbyllur dosjet më të nxehta të ministrave të saj të lidhur me drogën apo edhe drejtorët e policisë që ende “nuk gjenden”. Sot ndërtimi dhe turizmi jane fatkeqësisht sektori ku paratë e droges po investohen. Bankat kanë ulur kreditimin ndonëse ndërtime po shtohen dhe janë paratë e drogës që pastrohen përmes betonimit të qyteteve që po zhvlerësojnë dhe euron. Janë pikërisht keto ndërtime që përfitojnë nga taksat që qeveria ul dhe nga lejet që ajo jep”, vijon me tej Tabaku.

Deputetja e PD-së thotë se dosja “Xhafa” “eshte maja e ajsbergut që zbulon lidhet e ngushta që lidhen me qeverinë nga droga, krimi i organizuar e duke përfunduar në krimin financiar”.

Top Channel

Share: