Burimet thonë se Hajdaramataj dhe Mara kanë marrë në pyetje Nezar Seitin, Meridian Sulajn dhe Moisi Habilajn. I pari u ekstradua pas shumë polemikash në janar të këtij viti, edhe pse procedohej në Shqipëri, ndërsa dy të tjerët janë arrestuar në Katania.
Lëvizja e prokurorëve shqiptarë për të shkuar në Itali erdhi menjëherë pas goditjes që morën në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, e cila vendosi që të lirojë nga arresti i shtëpisë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkonte arrest me burg për Tahirin, ndërsa Shkalla e Parë vendosi vetëm arrest shtëpie, përpara se Apeli ta shfuqizonte atë. Prej dy ditësh, prokurorët e Krimeve të Rënda janë duke mbledhur prova për Tahirin në Katania.
Burimet thonë se ata janë përqendruar më së shumti te bizhuteritë e përmendura në përgjimet e Katanias nga Moisi Habilaj, se do t’i blinte për të afërmit e Tahirit dhe për blerjen e një kostumi “Hugo Boss” në Milano me porosi të Tahirit.
Deri më tani, dy letërporositë në lidhje me blerësit nuk kanë sjellë ndonjë gjë në dritë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ata presin edhe përgjigjen për certifikatat që lëshohen për produktet e shtrenjta, si nga dyqani “Hugo Boss”, ashtu edhe nga argjendaria. Prokurorët e Krimeve të Rënda janë të bindur se këto certifikata do të nxjerrin edhe emrat, qoftë të porositësve, qoftë edhe të blerësve.
KOSTUMI DHE BIZHUTERITË
Në dhjetor 2013, sipas përgjimeve të dosjes së Katanias, Moisi Habilaj diskutonte me Antonio Rielën dhe dy persona të tjerë për blerjen e disa bizhuterive për ish-ministrin Tahiri. Ka qenë Riela, që gjatë marrjes në pyetje në Itali, ka pranuar se ka shoqëruar Moisi Habilajn dhe Meridian Sulajn te dyqani i bizhuterive.
Për Prokurorinë nuk ka rëndësi çmimi prej 18 mijë eurosh apo 5 mijë erosh për blerjen e bizhuterive, por blerja e mallit. Sipas dy letëroporisive të dërguara në Itali, shitësi ka pranuar shitjen e dy bizhuterive dhe pritet tashmë që të mbërrijnë certifikatat e tërheqjes së tyre, që janë bërë me emra konkretë.
E njëjta gjë vlen edhe për një kostum në dyqanin “Hugo Boss”, që, sipas përgjimeve, Moisi Habilaj thotë se e kishte porositur Tahiri ta blinte. Prokuroria pranon se nga pyetja e dy shitësve dhe verifikimet e bëra, nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejt Tahirin, por janë në pritje të ardhjes së certifikatave të shitjes për të mësuar emrat e blerësve. Megjithatë, ka një mospërputhje me datën e shitjes së kostumit “Hugo Boss”.
Në letërporosinë e parë të ardhur, përgjegjësit e dyqanit nuk kanë identifikuar as Tahirin dhe as Moisi Habilajn si klientë të tyre dhe në datën kur Prokuroria dyshon se është blerë kostumi, nuk ka pasur shitje të ndonjë prerjeje të tillë.
SKAFI
Edhe pse Moisi Habilaj, gjatë marrjes në pyetje për llogari të hetimeve në Shqipëri, ka mohuar të ketë takuar ndonjëherë Tahirin, prokurorët shqiptarë janë përqendruar te marrja e skafit në Triport të Vlorës në vitin 2014. Më këtë skaf, Tahiri ka shkuar më pushime në Korfuz në gusht të vitit 2014, derisa ai ka pësuar defekt. Ish-ministri ka njoftuar një vartës të tijin në Shqipëri që të merrte mekanikë dhe Artan Habilajn dhe të shkonte në Greqi për riparimin e skafit.
Sipas TIMS-it grek, rezulton se më 14.08.2014, në Greqi ka hyrë shtetasi Artan Habilaj me mjetin tip “Audi”, i shoqëruar nga mekaniku dhe ish-polici. Më 16.08.2014, në orën 13:31, Tahiri hyn në territorin e Shqipërisë nga Qafë-Bota me mjetin “Audi”, që ia kishte sjellë Artan Habilaj. Atë ditë, në Shqipëri ka hyrë me skafin që kishte pasur defekt, Artan Habilaj dhe dy shoqëruesit e tij. Skafi, sipas Prokurorisë, nuk është regjistruar nga Policia Kufitare. Ai ka vijuar udhëtimin deri në Vlorë, konkretisht në Triport.
Pesë ditë më pas, në Triport është paraqitur shtetasi Moisi Habilaj, i cili ka hyrë lehtësisht në Shqipëri dhe ka hasur vetëm rezistencën e përgjegjësve të Triportit, që nuk e kanë lejuar fillimisht të marrë skafin, pasi nuk kishte dokumentacion. Por Moisi Habilaj e ka marrë skafin dhe ka udhëtuar drejt Italisë, së bashku me dy mekanikë që kanë qëndruar atje me shpenzimet e ish-ministrit dhe janë kthyer disa ditë më vonë në Shqipëri. Riparimi i skafit shkoi në vlerën e 40 mijë eurove, ndërkohë që ishte blerë për vetëm 15 mijë euro. Skafi është riparuar në Brindisi. /PANORAMA/Etleva Deliu/
360grade.al