Home KRYESORE Viti i Skënderbeut, por rrezikojmë që pasardhësit tanë të njohin Ertugrulin si...

Viti i Skënderbeut, por rrezikojmë që pasardhësit tanë të njohin Ertugrulin si Hero Kombëtar!

Nga Elkier Bushkolaj

Turqia prej vitesh përmes kinematografisë po punon për të përmirësuar imazhin e saj, kryesisht në ato vende që i robëroi për shekuj me radhë, teksa po manipulon edhe faktet historike, ku në jo pak raste në filma dhe libra historie turqit dalin si çlirues, e jo pushtues të këtyre vendeve.

Në një kohë që serialet historike turke si “Ertugrul” apo “Sulltanesha Kosem” po thyejnë rekorde shikueshmërie në vendin tonë, një deputet shqiptar, i vetëquajtur artist, organizon në fshatin e tij të lindjes në Kaninë të Vlorës një dasmë të improvizuar të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti.

Ky aktivitet që i ngjante më shumë një “feste synetllëku” tregon se si shteti ynë “kujdeset” për të respektuar figurën e Gjergj Kastriotit, që çdo komb do të ishte krenar ta kishte patur prijës të tij.

Fëmijët e të rinjtë shqiptarë, falë rrjeteve sociale e portaleve dinë gjithçka për Ertugrulin dhe aktorin që luan rolin e tij, ndërsa po t’i pyesësh për Gjergj Kastriot Skënderbeun ngrenë supet.

Skënderbeun e ka braktisur edhe kinematografia, filmi i fundit për të është prodhuar në vitin 1953. Shteti Shqiptar nuk ka denjuar të financojë një film ose një dokumentar serioz për figurën dhe veprën e lavdishme të Gjergj Kastriotit.

Mungesa respektit për historinë tonë dhe gjakun e të parëve ka bërë që ne sërish të shndërrohemi në një satelit të Turqisë, që na humbi identitetin tonë dhe falë barbarisë tyre, sot e 5 shekuj vijojmë të jemi të ndarë në 4 vilajete, si asnjë komb tjetër në botë.

Bejlerët e këtyre trojeve fëmijët i shkollojnë në shkollat turke e nesër ata fëmije do kenë në dorë fatet e politikës dhe ekonomisë së Shqipërisë.

Sot shqiptarët janë të “detyruar” të vishen me rroba “Made in Turkey” të ushqehen më produkte që vijnë nga ky shtet, të shikojnë liderët e tyre politikë t’i thonë Erdoganit vëllai i madh, e t’u japin biznesmenëve të tij të drejtën për të shfrytëzuar pasuritë që zoti i fali kësaj toke.

Sot në Shqipëri njerëz si “Historiani Jazekxhiu” me shokë kanë hapësirë pa fund, studio televizive ku bëjnë propagandë për kthimin e Shqipërisë në provincë turke dhe shpalljen e Haxhi Qamilit martir të lirisë.

Më këto ritme afeksioni për pushtuesit tanë shekullorë s’na mbetet gjë tjetër veç të ndërrojmë flamurin, e të madhërishmin Gjergj Kastrioti ta shpallim tradhëtar dhe Ertugrulin Hero Kombëtar

Share: