Një pengmarrje, e cila vijoi për 23 orë përfundoi në tragjedi në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një burrë qëlloi për vdekje 4 fëmijë përpara se të drejtonte armën nga vetja. Sipas BBC, policia e gjeti 35-vjeçarin Gary Wayne Lindsey të vdekur në apartamentin ku po mbante peng fëmijët, të moshës 1 deri në 12 vjeç, në Orlando.
Lindsey ishte babai i dy prej fëmijëve, ndërsa dy fëmijët e tjerët ishin të së dashurës së tij. Ai ishte një i dënuar në liri me kusht, për disa akuza, ndër to edhe zjarrvënie të qëllimshme. Kishte qenë e dashura e 35-vjeçarit që kishte njoftuar policinë, pasi ai e kishte dhunuar.
Katër viktimat e krimit të tij makabër janë Iraya, 12 vjeç, Lillia 10, Aidan, 6, dhe Dove, vetëm 1 vjeçe.
Por si të mos mjaftonte kjo ngjarje tragjike, gjatë tentativës për të liruar fëmijët, një oficer policie mbeti i plagosur rëndë. Ai ndodhet në gjendje kome në spital dhe rikuperimi i tij pritet të jetë i vështirë.
Gjatë 23 orëve pengmarrje, teksa negocionin me Lindsey për lirimin e fëmijëve, oficerët nuk dyshuan në asnjë moment se të miturit kishin vdekur, derisa dalluan një prej tyre pajetë.
Autoritetet thonë se nuk janë të sigurt se kur mund t’i ketë vrarë fëmijët 35-vjeçari. Kur ata bastisën apartamentin, fatkeqësisht ishte tepër vonë./Opinion.al