Home KRYESORE Edi Rama në konferencën “Së bashku kundër ekstremizmit të dhunshëm”

Edi Rama në konferencën “Së bashku kundër ekstremizmit të dhunshëm”

Ka qenë një nder të jemi mikpritës të këtij aktiviteti, në kuadrin e Procesit të Aqaba. Fatkeqësisht, Mbreti Abdulla i Dytë i Jordanisë nuk mund të ishte me ne, për shkak të nevojave të vendit të tij, por ne patëm Madhërinë e tij Mbretërore, Princin Ghazi këtu me ne. Gjithashtu patëm pjesëmarrjen e Kryeministrit të Bullgarisë që është tashmë vendi që ka Presidencën e Bashkimit Europian, që, sipas mendimit tim, krijoi me të vërtetë një kuadër shumë të mirë diskutimi. Kemi gjithashtu praninë e shumë të ftuarve të nderuar dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, Kryeministrin e Kosovës.

Jemi mbledhur për të diskutuar diçka që është me të vërtetë e ndjeshme dhe gjithashtu me rëndësi strategjike në një vend si Shqipëria, ku toleranca fetare është një thesar i vërtetë, siç e tha dhe Papa Francesku, është me të vërtetë vëllazëri. Por, ndër të tjera, ne jemi të vetëdijshëm që ky është një thesar që duhet ta mbrojmë, por në të njëjtën kohë edhe të trajtojmë nevojën që kemi në lidhje me brezat e ardhshëm, në mënyrë që ata të jenë të ndërgjegjshëm për këtë thesar fantastik që kemi.

Ne kemi pasur sfidat tona të ndryshme, me të cilat vende të ndryshme përballen në shkallë dhe nivele të ndryshme. Por, në të njëjtën kohë, unë besoj se kemi një mirëkuptim të përbashkët, që pavarësisht sfidës së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit dhe mënyrës sesi ai është shfaqur dhe sesi përballemi, të gjitha vendet duhet të përballemi gjithashtu me nevojën për të mbrojtur parimet dhe vlerat e jetës që kemi zgjedhur.

Nuk do të doja të merrja më shumë kohë se kaq, sepse jam i sigurt që Madhëria e tij ka gjëra shumë më interesante dhe më domethënëse si fakte dhe informacione për të thënë në këtë kuadër. Me shumë dashamirësi dhe me shumë vullnet do t’ia lija atij pjesën time të kohës.

Duke ju falenderuar të gjithëve për praninë tuaj dhe duke theksuar dhe njëherë vullnetin tonë të fuqishëm për të punuar krah më krah me të gjithë që janë të angazhuar me këtë luftë për civilizim, për qytetërimin tonë, me shumë dashamirësi do t’ia lë fjalën Madhërisë së tij, Princit Ghazi.

* * *

Është e vërtetë që ne kemi këtë trashëgimi fantastike të mrekullueshme.

Ndonjëherë duket goxha mbresëlënëse, goxha e mrekullueshme, nga njëra anë, kur shihet kjo vëllazëri ndërkufitare, ndërsa në anën tjetër shihet mungesa e vëllazërisë mes politikanëve. Por ajo çka është shumë e rëndësishme sot e kësaj dite është të kuptojmë që kjo nuk është diçka e dhënë, është një trashëgimi e ndërtuar brez pas brezi në rrethana shumë të ndryshme, ndonjëherë edhe shumë tragjike.

Por një trashëgimi e tillë nuk merret si e mirëqenë, si e dhënë dhe në një moment trazirash, si kohërat tona është gjithmonë akoma më e rëndësishme të bëjmë gjithçka, për t’u siguruar që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë të jenë të ndërgjegjësuar dhe të kuptojnë se sa me vlerë është një trashëgimi e tillë dhe ta mbrojnë atë. Për këtë duket të gjejmë mënyra për ta kaluar këtë mesazh dhe për t’u siguruar që ata e kuptojnë këtë mesazh, sepse ekuilibrat janë gjithmonë të dobët dhe nuk nevojitet shumë që këto ekuilibra të ndryshojnë dhe që gjërat të drejtohen në drejtimin e gabuar.

Ne po mundohemi të bëjmë më të mirë tonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë diçka të tillë. Patjetër që nuk ka zgjidhje magjike, por ka shumë praktika të mira,  prandaj isha me të vërtetë i hapur dhe me të vërtetë i vullnetshëm që ta bëja Shqipërinë pjesë të kësaj shpikjes fantastike që është Procesi i Aqaba-s dhe që të kisha këtu edhe Madhërinë e tij.

Kur mendojmë për terrorizmin dhe radikalizmin, ne gjithmonë priremi të mendojmë që është një çështje kufijsh dhe vijash shumë të mirëpërkufizuara dhe një problem me të cilin duhet të përballemi ballë për ballë dhe që është një çështje e forcave përfundimtare. Por, faktikisht, në themel është një luftë që bëhet në zemrat e njerëzve. Kështu që të fitojmë zemrat dhe mendjet e njerëzve është shumë më e komplikuar dhe e ndërlikuar, sesa të fitosh një betejë në një fushëbetejë dhe të pushtosh një territor, apo të largosh nga një territor një forcë keqbërëse dhe keqdashëse për një periudhë të caktuar kohe. Pra, është një betejë e vazhdueshme dhe me të gjitha këto që po ndodhin, me teknologjinë,  me internetin dhe me rrjetet sociale, lufta nuk do të luftohet më thjeshtë, do të jetë akoma më e vështirë për ta luftuar atë.

Kjo betejë, sipas pikëpamjes time, duhet të fillojë me fëmijët. Atyre iu duhen dhënë mjetet dhe instrumentet për të kuptuar dhe më pas për të marrë qëndrimet e tyre, për të kuptuar se kush është mysliman, kush është suni, shia, katolik, ortodoks, i krishterë e kështu me radhë. Nuk lidhet vetëm me edukimin fetar, por lidhet edhe me kulturën e ditëve tona, kulturën moderne që mungon. Ndonjëherë brezi i ri duket sikur nuk ka instrumentet për t’iu qasur një ngjarjeje, ose për të trajtuar një lloj propagande, ose për të gjykuar rreth një opinioni, apo një tjetri që mund, ose mund të mos jetë në drejtimin e duhur.

Kështu që kemi trashëgiminë, por duhet të kujdesemi për të. Gjëja më e rëndësishme këtu është që të sigurohemi që të tjerët do të vazhdojnë të kujdesen për këtë trashëgimi, sepse nuk dua që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë në këtë pikëpamje të jenë të llastuar me këtë trashëgimi, ashtu siç disa fëmijë të Bashkimit Europian janë të llastuar përsa i përket trashëgimisë së Bashkimit Europian. Këtë nuk e dua. Faleminderit!

*4 Qershor – Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën “Së bashku kundër ekstremizmit të dhunshëm”, mbajtur në Tiranë

Share: