Kryegjyqtari i Kushtetueses Bashkim Dedja kaloi me sukses vetingun duke u rikonfirmuar në detyrë. vendimi sapo u shpall nga KPK. z. Dedja nuk mori pjesë në seancë, por u përfaqësua nga avokati.
Avokati Maks Haxhia ishte i bindur se kryegjyqtari i Kushtetueses, Bashkim Dedja do ta kalonte vetingun dhe përshëndeti vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por ama kishte një kritikë për relatoren e çështjes, Xhensila Pine e cila në seancën dëgjimore kishte cënuar integritetin e gjyqtarit Dedja.
Në seancën e mëparshme relatorja shkeli ligjin pasi ajo nuk mund të bëjë komente. E citoj:“Vëllai i ka dhënë hua Bashkim Dedjes, por si ka mundësi që ka marrë edhe kredi”. Më tej relatorja avancoi kur tha “Një person që jep borxh nuk ka si të marrë kredi”. Ne u ndodhëm të shokuar përballë këtij fakti. E verifikuam dhe rezultoi se vëllai i Bashkim Dedjes nuk ka marrë kredi por shtëpinë e tij e kishte vendosur si kolateral në bankë për nipin e tij”, tha avokati Haxhia.
“Gjykata duhet të jetë e ftohtë në analizën e saj dhe nuk duhet të bëjë komente. Komisioni në këtë rast ka ceduar, nuk ka bërë verifikime të sakta dhe për pasojë ka cënuar integritetin e gjyqtarit Dedja që unë jam i bindur që është një nga njerëzit më korrekt të sistemit të drejtësisë”, tha Maks Haxhia.