Nga Nikollaq Neranxi*
Tre vite më parë, teksa ishim me pushime në Himarë, u zgjuam në mesnatë sepse mbesa e vogël ishte shumë sëmurë. Kishte temperaturë të lartë dhe mezi merrte frymë. U nisëm menjëherë drejt Tiranës natën, duke menduar se në kryeqytet ofrohen më shumë shërbime shëndetësore. Gjatë rrugës, gjendja e mbesës u rëndua dhe ndaluam në Vlorë që t’i jepnin oksigjen dhe ndihmë të shpejtë. Në Tiranë, pasi bëmë të gjitha analizat, mjeku na tha se vajza kishte marrë baktere të rrezikshme për shëndetin, Salmonella dhe Escherichia coli. Trupi i saj ishte i mbushur me baktere dhe pyetja që bëri doktori ishte: Ku e ka bërë plazhin vajza? Në fakt ajo kishte ditë që bënte plazh në zonën e Spilesë në Himarë, aty ku kemi edhe shtëpinë dhe siç bëjnë fëmijët, rrinte gati gjithë ditën në ujë.
Unë e dija që dikur në atë zonë, ujërat e zeza derdheshin në det, por nuk e imagjinoja që nuk ishte zgjidhur akoma kjo punë. Në atë kohë e bëra problem të madh faktin e derdhjes së ujërave të zeza në det, madje erdhën edhe televizonet dhe bënë kronika, por siç ndodh gjithmonë në këtë vend, zhurma e një lajmi sado alarmant të jetë, zgjat derisa del diçka e re dhe më pas gjithçka harrohet dhe asgjë nuk zgjidhet.
Ajo që më bën mua t’i kthehem përsëri kësaj historie, është se edhe sot që po shkruaj, ky problem mbetet ende i pazgjidhur. Sezoni turistik ka filluar dhe ujërat e zeza në Himarë, derdhen pa mëshirë në ujërat kristal të Jonit. Kur pyeta doktorin i cili kuroi mbesën time të sëmurë rëndë me temperaturë gati 42 gradë, se çfarë rrezikon dikush që bën banjo aty ku derdhën ujërat e zeza ai më dha këtë shpjegim mjekësor: “Ujërat e zeza të derdhura në det, krahas përbërjes kimike shumë të dëmshme, kanë shumë shtame bakterialë aerobe dhe anaerobe të cilat bëhen virulente kur futen në organizëm nëpërmjet rrugëve të ndryshme si nëpërmjet lëkurës, çarjeve të saj, me anë të traktit tretës nga gëlltitjet e pavullnetshme, nëpërmjet organeve gjinore sekondare, me anë të konjuktitave të syrit, veshit etj. Bakteret si Salmonela, Escherichia coli të shtameve të ndryshme, japin infeksione të rënda në tubin tretës. Staphylocochet dhe streptocochet, japin infeksione të rënda të lëkurës që mund të degradojnë në gjendje të rënda të septichpyemive etj. Sapo këto baktere futen në organizëm, japin dëmtime të rënda të syrit deri në dëmtime të cipës së shikimit, infeksione të veshit që tek fëmijët e vegjël mund të komplikohen deri në meningjite dhe meningoencefalite. Heqjet e barkut gjithashtu, mund të të çojnë në gjendje shtrimi urgjent në spital dhe nganjëherë mbeten forma kronike të koliteve. Në organet dytësore gjenitale japin vulvite, uretrite etj.” – shpjegon doktori.
E pashë të arsyeshme që ta publikoj këtë shpjegim mjekësor të detajuar, për të kuptuar pasojën që sjell papërgjegjshmëria e njerëzve që ne ju japim votën dhe paguajmë taksat që të na shërbejnë, ndërsa ata duke mos bërë detyrën për të cilën janë zgjedhur, kthehen në vrasës të shëndetit dhe jetës së qytetarëve.
Ne si banorë të zonës, nuk kemi ndenjur indiferentë gjatë këtyre viteve. Nuk janë të panjohura për publikun takimet që banorët e Himarës kanë bërë me Bashkinë dhe Kryetarin Jorgo Goro. Na thërrisnin për të na prezantuar planin e Rikualifikimit Urban të zonës dhe nga debatet e shumta që bëheshin aty, këto takime u bënë mjaft mediatike në atë kohë. Ky është rasti që t’ju rikujtoj edhe një here shkurt për çfarë bëhej fjalë. Ata donin të na tregonin se çfarë investimesh duan të bëjnë në zonën tonë, ndërkohë që ne si banorë e kundërshtonim për dy arsye: e para, sepse banorët nuk kishin marrë akoma pronat e trashëguara dhe nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje pa patur çdo banor në dorë titujt e pronësisë dhe e dyta, që investimet aty, nuk po bëheshin sipas nevojave dhe prioriteteve që ka zona. Kushdo që shkon sot në Himarë, do të shohë se si rëra u mbulua me beton, ndërtesat u lyen me ca ngjyra të kuqe të shpifura që vetëm dikush që e urren atë zonë mund ta katandisë ashtu, si dhe u shkulën me qindra rrënjë ullinj shekullore e u mbollën pisha! Më shëmtuar se kaq nuk bëhet! Ne si banorë kërkonim, që sapo të mbylleshin problemet e pronësisë, të investohej sipas prioriteteve dhe njëri prej tyre ishte pastrimi biologjik i ujërave të zeza që po vë seriozisht në rrezik jetën e njerëzve.
Ju që po lexoni tani këtë shkrim, me siguri mund t’ju ketë ndodhur që në plazh papritur keni patur bark, të vjella, temperaturë të lartë dhe keni menduar se është ndonjë virus stine. Në fakt jo, e keni patur gabim, me shumë gjasa kjo ka ardhur ngaqë Kryetari i Bashkisë Himarë Jorgo Goro, ju ka “qerasur” me fekalet e zonës të hedhura në det, në shenjë mirëseardhjeje. Sepse Goro, ka tjetër program, sot ai po punon për oligarkët e pushtetit, si të grabisin tokat dhe pronat tona dhe të investojnë aty. Nuk ka kohë ai të kujdeset për zonën dhe të bëjë detyrat e tij. Prandaj ju do të sëmureni për aq kohë sa Goro me shokë do jenë shumë të zënë duke mbushur xhepat e tyre, babëzisht dhe paturpësisht, duke prerë kështu në besë, një komunitet i cili i dha votën dhe duke i vënë një damkë shumë të rëndë një zone si e jona e cila ka ditur gjithnjë të mirëmbajë dhe të kujdeset për atë pasuri natyrore që na e dha Zoti dhe po na e shkatërrojnë barbarët në pushtet.
Nikollaq Neranxi, shkrim i botuar sot te gazeta Panorama
Ne video: Derdhja e ujerava te zeza ne det ne Hali, grykederdhja mes Spilese dhe Livadhit