Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi në Shtëpinë e Pushimit në Durrës një takim me Prefektët, drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme, Drejtoritë Vendore dhe Komisariate.
Çështjet kryesore që u diskutuan gjatë takimit ishin:
– Mbarëvajtja dhe masat për sezonin turistik;
– Lufta kundër kanabisit, i cili mbetet një prioritet i qeverisë nën moton “Zero tolerancë”;
– Nisma “Policimi në Komunitet” që po vijon me llogaridhënien e policisë përballë qytetarëve.
Duke u ndalur në sezonin turistik, ministri Xhafaj theksoi se pritshmëritë e qytetarëve, turistëve dhe operatorëve turistikë janë të mëdha.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u kërkoi drejtuesve të Policive Vendore dhe shefave të komisariateve të jenë të vendosur për të zbatuar oraret dhe kufizimet e vendosura nga pushteti vendor për të mos lejuar ndotjen akustike.
Ai dha porosi të veçanta për Policinë Rrugore, për të menaxhuar trafikun dhe minimizuar aksidentet. Drejtori Veliu gjithashtu kërkoi angazhim më të madh të Policisë për të shmangur ngjarjet me pasoja të rënda në det.