Lufta tregtare sapo ka nisur dhe dy armiqtë më të mëdha në fushë-betejë janë BE dhe SHBA, me Presidentin amerikan Donlad Trump që e ka përqendruar ofensivën tek aleatët historikë të vendit të tij, prej të cilëve kërkon të vjelë më shumë taksa.
Vetëm 24 orë para vizitës së Jean-Claude Juncker në Uashington, Trump ashpërsoi gjuhën në drejtim të BE-së duke thënë “Tarifat janë nona”.
Presidenti amerikan theksoi se BE ka trajtuar padrejtësisht vendin e tij prej vitesh kërcënoi me tarifa të mëtejshme. Trump sulmoi hapur BE-në dhe sugjeroi se ishte Brukseli që qëndronte si pengesë në rrugën e tregtisë së lirë.
Presidenti amerikan shkroi: “Tarifat janë nona! Ose një vend që i ka trajtuar Shtetet e Bashkuara në mënyrë të padrejtë mbi tregtinë negocion një marrëveshje të drejtë, ose goditet me Tarifa. Është shumë e thjeshtë kjo! Mos harroni, ne jemi “derrkuci i kursimeve” që po plaçkitet”.
Më vonë ai shtoi duke ju referuar vizitës së Juncker se se Bashkimi Evropian po vjen në Uashington për të negociuar një marrëveshje mbi tregtinë dhe ideja e tij për unionin është që si SHBA ashtu edhe BE t’i heqin të gjitha tarifat, pengesat dhe subvencionet, pasi vetëm kështu kemi tregun e lirë dhe të drejtë.
Edhe Cecilia Malmström, komisionerja e tregtisë së BE, e cila udhëtoi në Uashington me Juncker, foli me tone kërcënuese para takimit, duke thënë se BE ishte duke programuar një raund të dytë tarifash për mallrat e SHBA nëse mbledhja e Shtëpisë së Bardhë do të përfundonte me dështim.
Por ishte e habitshme sesi qëndrimet nga të dyja palët ndryshuan menjëherë para mbledhjes, ku Donald Trump dhe Jean-Claude Juncker u shfaqën të përzemërt teksa u ulën së bashku në Zyrën Ovale.
Presidenti amerikan u tha gazetarëve: “Ne duam të kemi një marrëveshje të tregtisë së drejtë dhe po kërkojmë diçka të tillë, madje shpresojmë se mund të arrijmë diçka”.
“Gjatë viteve Shtetet e Bashkuara kanë humbur qindra miliarda dollarë me Bashkimin Evropian dhe ne vetëm duam që të luajmë në një fushë të barabartë për fermerët tanë, për prodhuesit tanë, për të gjithë, dhe ne gjithashtu duam që përfituesi i madh sinqerisht të jetë Bashkimi Evropian, kështu që ne mendojmë se mund të jetë mirë për të gjithë dhe kjo është ajo për të cilën ne jemi këtu për të diskutuar sot”, tha më tej Trump.
Ndërkohë Juncker u përgjigj: “Ne jemi partnerë të ngushtë, aleatë, jo armiq. Ne duhet të punojmë së bashku. Ne përfaqësojmë gjysmën e tregtisë botërore … Ne duhet të flasim për reduktimin e tarifave, jo për rritjen e tarifave. Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë.”
Me një bust të Winston Churchill mbi supe, Trump tha se ishte dakord.
“Nëse ne mund të kemi ofertë për asnjë tarifë dhe pa pengesa dhe pa subvencione, Shtetet e Bashkuara do të ishin shumë të kënaqura … Ne duam reciprocitet. Pra, nëse është me Bashkimin Europian apo me të tjerët, ajo duhet të jetë reciproke në natyrë në minimum. Ne jemi duke punuar për këtë dhe mendoj se po bëjmë hapa të jashtëzakonshëm”, theksoi ai./Opinion.al