Përktheu Elvis Zaimi
“Cogito e shpartalluar”, ky do të ishte titulli emblematik i një tradite, e cila ndoshta vazhdoi më pak sesa tradita e vetë cogito-s, kulmin e mllefit të saj hakmarrës e arriti me vrerin niçean, duke e shndëruar Niçen në kundërshtarin e privilegjuar të Dekartit. Në mënyrë që të kuptohet sulmi i udhëhequr nga Niçe kundër cogito-s Karteziane, ne veçanti përgjatë fragmenteve të periudhës së fundit, është e dobishme t’u kthehemi disa prej shkrimeve që janë të së njëjtës kohë me “Lindjen e Tragjedisë”, në të cilën argumentat kundër retorikës kanë për objektiv përmbushjen e pretendimit të Filozofisë për ta ndërtuar vetveten si një shkencë, në sensin e fortë të kësaj fjale, d.m.th të të kuptuarit të filozofisë si një disiplinë e mbështetur mbi themele të qëndrueshme.
Sulmi kundër pretendimit se filozofia është ngritur dhe qëndron mbi themele të tilla bazohet në kritikën e gjuhës me të cilën filozofia e shpreh vetveten. Askush nuk është i detyruar të pranojë, me përjashtim të Herder, se filozofia e subjektivitetit e ka shpërfillur kryekëput rolin ndërmjetësues të gjuhës në të argumentuarit e ergo sum, d.m.th “unë jam” dhe “unë mendoj”. Duke e vënë theksin mbi këtë dimension të diskursit filozofik, Niçe nxjerr në dritë strategjitë retorike të varrosura, të harruara, madje edhe të shtypura dhe të mohuara në mënyrë hipokrite, në emër të refleksionit të menjëhershëm.
Vepra “Kurs mbi Retorikën” parashtron idenë novatore se figuracioni letrar-metaforat, sinekdodat, metonimitë-nuk përbëjnë ornamente shtesë të diskursit filozofik, i cili është në vetvete literal dhe jofigurativ, por në të vërtetë janë përbërës të qenësishëm të funksioneve themelore të gjuhës së përdorur në këtë diskurs. Në këtë kuptim, “natyrshmëria” joretorike e gjuhës nuk ekziston. Gjuha është retorike fund e krye.
Eseja “Mbi të vërtetën dhe gënjeshtrën në sensin jomoral” e çon në pikën më të fundme paradoksin se gjuha është fund e krye figurative, dhe si e tillë ka namin e të qenurit mashtruese.Është një paradoks që gjen shprehje në një kuptim të dyfishtë; së pari paradoksi konsiston në atë se jeta që në rreshtat e parë, në dukje e marrë si një referencial me kuptim jofigurativ, merret si burimi i fabulave me të cilat ajo mban vetveten. Sensi tjetër i këtij paradoksi është se, vetë diskutimi I Niçes mbi të vërtetën si gënjeshtër, duhet të tërhiqet deri te paradoksi i gënjeshtarit.
Por Niçe është pikërisht mendimtari që pranoi për të vërtetë fundin e këtij paradoksi, diçka që u ka shpëtuar komentatorëve të veprës së tij, të cilët, e marrin Apologjinë e Jetës, apo Vullnetin për Pushtet, si të ishin zbulesa të një “të menjëhershmeje” të re, e cila e zëvendëson cogito-n karteziane pikërisht mu në vendin e saj, dhe me të njëjtin pretendim themelonjës për filozofinë. Me këtë që them nuk dua të lë të kuptohet se Niçe, në përpjekjen e tij për ta kapërcyer nihilizmin, nuk e kishte ndërmend një rindërtim të tillë themelonjës për filozofinë.
Është me rëndësi, gjithsesi, se ky rikonstruksion mbetet në mëshirën e gjesteve dekonstruksioniste, të cilave u nënshtrohet metafizika që i ka paraprirë atij. Në këtë kuptim, nëse argumentat e drejtuara kundër cogito-s, mund të interpretohen se shtrijnë deri tek vetë cogito argumentin kartezian të “demonit keqbërës”, pra gjuhën me karakterin e saj figurativ dhe mashtrues, mbetet e paqartë nëse, duke e vendosur vetveten nën paradoksin e gënjeshtarit, Niçe ia doli mbanë ta “strehonte” filozofinë e tij nga dekonstruksioni që ai vetë shfreu dhe e lëshoi të lirë, me interpretimin e tij retorik të rë gjithë traditës filozofike të mëparshme.
Paradoksi fillestar është ai i një “iluzioni” I cili shërben si një “marifet I volitshëm” në emër të ruajtjes së jetës. Vetë natyra, megjithatë, i ka hequr njeriut fuqinë për ta deshfruar këtë iluzion (Cit“Ajo i flaku tej çelësat”, në “Mbi të vërtetën dhe gënjeshtrën në sensin jomoral”, faqe 80).Prapë se prapë, Niçe mendon se e posedon këtë çelës, dhe për të ai është të funksionuarit e iluzionit si Verstellung (duke u shtirur, duke u hequr së qenuri).Është e rëndësishme të ruhet sensi i zhvendosjes si pjesë e kuptimit të këtij procesi, I cili gjithashtu nënkupton dissimulim (fshehje, mbulim, shtirje), sepse sensi zhvendosës projekton jo vetëm sekretin gjuhësor, por edhe të funksionimit të duhur të iluzionit.
Këtu ne I kthehemi situatës së Cratylus së Platonit, dhe ballafaqimit që ndodh në dialogun sokratik ndërmjet origjinës “natyrore” dhe origjinës “konvencionale” në projektimin e gjërave me anë të fjalëve.Niçe nuk ka hezitime, modeli, për ta shprehur kësisoj, është gënjeshtari, i cili, pasi ka “zëvendësuar arbitrarisht ose kthyer kokëposhtë kuptimet e emrave”, e keqpërdor gjuhën me përdorimin që u bën më pas në mënyrë të përsëritur emërtimeve me kuptime surrogate apo të përmbysura, në ligjërimin e tij. Megjithatë, ashtu si gjuha figurative, në tekstin që i paraprin asaj para krijimit, me t’u krijuar nuk mund t’i kundërvihet asnjë lloj gjuhe literale, edhe gjuha e gënjeshtarit nuk mund të ketë për referencë gjuhën jomashtruese, sepse vetë letërsia ka lindur nga zëvendësimet dhe kthimet kokëposhtë të kuptimeve me origjinë natyrore të fjalëve.
Në çfarë kuptimi kihet parasysh këtu cogito Cartesiane, të paktën tërthorazi? Në kuptimin që nuk mund të përbëjë një përjashtim nga dyshimi i përgjithësuar, qartësia që mbulon “unë jam”, “unë jam duke menduar”, derisa realiteti formal i ideve, dhe më së fundmi edhe vlera e tyre përfaqësuese, bie ndesh dhe shtypet deri në rafshin e reduktimit figurativ, siç u sqarua më sipër. Ashtu si dyshimi i Dekartit që procedon nga mungesa e prezumuar e dallimit ndërmjet ëndrrës dhe zhgjendrrës, edhe ai i Niçes procedon nga një mungesë dallimi akoma më e hiperboliizuar, ajo ndërmjet të vërtetës dhe gënjeshtrës. Kjo është arsyeja e vërtetë përse Cogito bie dhe shkallmohet para këtij versioni (në vetvete të hiperbolizuar) të “demonit keqbërës”, sepse ajo që i mungon këtij të fundit, është instikti I të vërtetës.
Pas kësaj, më duhet të pohoj edhe atë që tashmë është shndërruar në një enigmë. “Demoni keqbërës”, ose gjuha me karakterin e saj figurativ,pra edhe mashtrues, rezulton të jetë bërë më e zgjuar se edhe vetë cogito. Përsa I përket filozofisë së vetë Niçe-s, ajo ose e përjashton vetveten nga mbretërimi universal i Verstellung, (por çfarë hileje mashtruese më të lartë mund të përdorë ajo për t’i shpëtuar sofizmit të gënjeshtarit?), ose ajo shembet nga Verstellung (dhe nëse është ky rasti, si mund të justifikohen tonet e zbulesës me të cilat Niçe shpall Vullnetin për Pushtet, Mbinjeriun, dhe kthimin e amëshueshëm të të njëjtës?). Kjo dilemë, e cila nuk duket ta ketë përmbajtur Niçen në shkrimet dhe mendimin e tij, është kthyer në dilemën e komentatorëve të tij, duke i ndarë ata në dy kampe, të besnikëve dhe ironikëve.