Ish-ambasadori Bashkim Zeneli, i cili u nderua dje nga Presidenti Ilir Meta me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, ka komentuar ditën e sotme samitin e NATO-s, ku merrte pjesë edhe Shqipëria.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në ‘News24’ me Nisida Tufën, Zeneli pohoi se deri tani Shqipëria ka bërë detyrën dhe asgjë më shumë se kaq.
“Unë nuk besoj se Shqiperia po bën më shumë se kapacitetin. Po të bëjë ato që janë për të bërë, detyrime politike, ushtarake, financiare, kemi bërë detyrën tonë. Ne jemi pjesë e NATO-s prej kaq vitesh. Kemi shprehur qëndrimin tonë, por s’kemi bërë asgjë të veçantë, por vetëm detyrën. Kemi pasur 100 trupa në ndonjë nga vendet që na është kërkuar dhe nesër nisim 120, s’do të thotë se po bëjmë shumë. Nuk duhet t’i mbushim vetës mendjen se jemi ‘violina e parë’. Duhet të bëjmë angazhimin tonë. Edhe NATO kërkon luftë kundër korrupsionit, kundër terrorizmit dhe një strategji më të qartë ndaj zhvillimeve në rajon”, tha Zeneli.
Mes të tjerash Zeneli komentoi edhe deklaratat dhe kundërpërgjigjet mes Trump dhe Merkel. “Duhet parë se mes dy vendeve ka mirëkuptim historik dhe ka një raport disi të ftohtë sot në këto marrëdhënie. Kjo vjen nga të dyja palët, nga detyrimet e Gjermanisë në kuadër të NATO-s dhe raportove me SHBA dhe nga qëndrimet e Trump, i cili duke theksuar me forcë forcimin e Amerikës”, tha ai.
Teksa u ndal tek kuotat, Zeneli tha se është e rëndësishme që të zbatohet kuota 2 %. “Duhet pranuar se vet situata në BE nuk është e qetë. Me qëndrimet e shteteve të ndryshme, ndaj mjaft problemave, nda kuotave, përballjeve, por edhe me probleme të tjera. Këto janë të pashmangshme dhe ndikojnë edhe në raportet në NATO. Është në kuotë e 2% që duhet të respektohet për secilin shtet. SHBA mbajnë peshën më të madhe në këtë angazhim financiar ndaj NATO-s. Është një aleancë e përbashkët me detyrime të përbashkëta, me angazhimin e përbashkët gjeo-politik që po ndeshet bota. Unë mendoj se nuk do parë e shkëputur problematika e NATO-s, nuk jam dakord me ca mendime se ‘NATO mund të jetë drejt shpërbërjes’”, pohoi ish-ambasadori.