Lajmi se autoritetet shqiptare arrestuan disa persona të dyshuar për terrorizëm në mars të këtij viti, konfirmohet sot nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Ai ka publikuar raportin e Departamentit të Shtetit, “Akvititeti operacional i Iranit në Europë”, ku thuhet shprehimisht se, në datën 22 mars 2018, 2 operativë iranianë janë arrestuar në Shqipëri me akuzën e terrorizmit.
Sekretari Pompeo shkruan gjithashtu në Twitter se: “Regjimi i Iranit ka sjellë vuajtje dhe vdekje për botën dhe për popullin e vet. Vetëm në Europë, vrasjet, bombardimet, dhe sulme të tjera terroriste të sponsorizuara nga Irani kanë dëmtuar jetë të panumërta. Shpresoj që europianët ta ngrenë këtë çështje me Rouhani & Zarif në turin e tyre europian.”
Ndërkohë, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit ka nxjerrë një deklaratë për sa i përket planit të fundit terrorist kundër mbledhjes së tyre të përvitshme në Paris.
Në një pjesë të kësaj deklarate shkruhet: “… Diplomati terrorist i arrestuar në Gjermani është Asadollah Assadi (47), i cili ka qenë kreu i stacionit të inteligjencës së regjimit iranian në ambasadën e regjimit në Vienë që nga viti 2014. Ai u kishte dhënë urdhrin final terroristëve për të sulmuar mbledhjen e 30 qershorit. Asadollah Assadi kishte zëvendësuar një tjetër diplomat terrorist të regjimit me emrin Mostafa Roudaki.
Mostafa Roudaki shkoi në Teheran nga Austria, dhe u dërgua në Shqipëri në vitin 2017 si sekretar i parë i ambasadës në mënyrë që të merrej me spiunazh dhe veprimtari terroriste kundër PMOI. Për të lehtësuar veprimtaritë e Roudaki-it, Qendra Habilian dhe Shoqata Didehban, dy degë të Ministrisë së Inteligjencës (MOIS), u bënë aktive në Shqipëri nën maskën e veprimtarive kulturore dhe të shtypit”.
l.h/ dita