Home KRYESORE Shtyhet marrëveshja Shqipëri Greqi/ Bushati: Ka rezistencë politike!

Shtyhet marrëveshja Shqipëri Greqi/ Bushati: Ka rezistencë politike!

Ndryshe nga sa pritej për firmosjen e marrëveshjes këtë verë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, thotë se bisedimet me Greqinë janë shtyrë.

Bushati ndodhet në Londër ku merr pjesë në Samitin e Londrës, takimi i pestë i Procesit të Berlinit. Duke iu përgjigjur interesit të medias për Dialogun e nisur me Greqinë ministri Bushati tha se takimi Rama-Tsipras është mundësi e artë për të përcaktuar linjat e drejtimit që duhet të jepen në këtë proces.

“Ne kemi bërë hapa të qëndrueshëm përpara përsa i përket bisedimeve për një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare, një marrëveshje e re që do të udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare publike, në fushën e detit, por mbi të gjitha një marrëveshje e re e cila do të ishte e drejtë dhe e zbatueshme për dy vendet tona. Nuk është një proces i lehtë, ka rezistencë politike në të dyja anët, qoftë në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, por besojmë se me vendosmëri dhe vullnet politik të qartë ne në një të ardhme të afërt do të kemi produktet konkrete, qoftë për këtë marrëveshje ashtu dhe për pjesën tjetër që përbëjnë elementët e paketës që ne po diskutojmë me Greqinë”, tha z. Bushati.

Ministri tha më tej se rezistenca ka të bëjë më tepër me qëndrime politike si në Shqipëri dhe në Greqi duke u shprehur se segmente të caktuara ose preferojnë status quo ose janë kundër një perspektive të përbashkët evropiane të Shqipërisë dhe Greqisë.

Ministri i Jashtëm theksoi dhe njëherë se përtej afateve që janë folur për përfundimin e marrëveshjes e rëndësishme për momentin që flasim është cilësia e punës së grupeve dhe vetë procesit. “Është folur shpesh për afate, u përcaktua pranvera, fillimi i vers, vera, vjeshta Afatet janë shumë të rëndësishme sepse janë një mundësi për të mbajtur të motivuar ekipet respektive që punojnë dita ditës për të gjitha marrëveshjet që janë në tryezë, por është më e rëndësishme në këtë moment që flasim, cilësia e punës dhe cilësia e këtij procesi. Besojmë se ndajmë të njëjtin mendim dhe me palën greke, që nuk duhet humbur kohë në këtë proces, sepse problematika tashmë është mbi 70-vjeçare, e stërnjohur dhe të gjitha opsionet janë shqyrtuar në tryezë”, tha z. Bushati.

Kreu i Diploamcisë u ndal edhe tek çështja e migracionit për të cilën theksoi se : “Qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i njëjtë. Jemi për aplikimin e parimit të solidaritetit dhe proporcionalitetit, sipas të cilit, secili prej vendeve anëtare të BE dhe vendeve kufitare në këtë fenomen duhet të japin mbështetjen dhe kontributin e tyre për ta kapërcyer këtë krizë”./opinion.al

Share: