Home KRYESORE Vrasja në Shkodër/ Ish-polici dhe bashkëjetuesja e tij u ekzekutuan nga vrasës...

Vrasja në Shkodër/ Ish-polici dhe bashkëjetuesja e tij u ekzekutuan nga vrasës profesionistë

Krimi i dyfishtë që tronditi sot qytetin e Shkodrës kishte për obiektiv ish-punonjësin e policisë dhe bashkëjetuesen e tij, të cilët mbetën të vrarë me armë zjarri brenda në automjetin e tyre, në sy të fëmijës një vjeç e gjysmë.

35-vjeçari Boran Bercama dhe bashkëjetuesja e tij janë qëlluar me armë zjarri, pistoletë, nga një distancë e afërt, sapo kanë zbritur nga banesa e tyre dhe në momentin që kanë hyrë në automjet.

Breshëria e plumbave u ka marrë jetën në vend. Për fat të mirë, foshnja që ndodhej në vendin e pasagjerit përpara, në prehrin e gruas së vrarë, ka shpëtuar nga plumbat.

Sipas grupit hetimor, autorët dyshohet të jenë të paktën dy persona, të cilët kanë ditur mirë çdo lëvizje të viktimave. Në shënjestrën e tyre, përveç ish-punonjësit të policisë ka qenë edhe bashkëjetuesja, për të zhdukur çdo dëshmi të mundshme.

Nga dyshimet e policisë duket se, bëhet fjalë për një krim të kryer nga profesionistë, duke parë saktësinë e goditjeve me armë zjarri, ndërsa autorët kanë qenë të maskuar.

Aktualisht nuk dihen as motivet dhe as autorët e ngjarjes së rëndë, ndërsa dyshimet e para hidhen për ndonjë konflikt të kohëve të fundit të ish-punonjësit të policisë.

Boran Bercama kishte dhënë dorëheqjen para rreth 6 muajsh nga policia, ku shërbente si punonjës i Policisë së Rendit me patrullat. Policia ka shoqëruar disa persona, që dyshohet se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të disa bizneseve aty pranë, për të mësuar më shumë mbi lëvizjen e autorëve./Opinion.al

Share: