Ndonëse ende nuk jepet një emër, e përditshmja greke Kathimerini bën me dije se zjarri që u mori jetën 88 personave, u shkaktua nga një dorë njerëzore.
“Zjarri në Greqi që vrau të paktën 88 persona u vu nga një individ i papërgjegjshëm i cili u përpoq të ndizte zjarr në pyll në një ditë kur frynte shumë erë”, shkruan gazeta duke cituar një zyrtar kompetent për çështjen, i cili u shpreh se në bazë të provave të mbledhura, zjarri është rezultat i neglizhencës dhe se identiteti i personit përgjegjës dihet tashmë nga autoritetet.
Zjarri masiv që preku zonën e Atikës në periferi të Athinës shkaktoi 88 viktima, mes të cilëve edhe dy shqiptarë. Shumë nga njerëzit e pranishëm në fshatin Mati buzë detit, arritën të shpëtojnë duke qëndruar me orë të tëra në det në pritje të ndihmës. Greqia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndërkohë që Kryeministri Tsipras ka marrë përgjegjësi politike për ngjarjen.
Kjo është katastrofa më e madhe në Greqinë e 10 viteve të fundit./Opinion.al