Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’connell në një intervistë dhënë për Frontal Live në T7 ka deklaruar që qeveria e Britanisë është kategorikisht kundër idesë së presidentit Thaçi për ndarje të territorit.
Madje ka deklaruar që kjo mund të sjelltë edhe precedent të tjerë në Ballkan.
“Kufijtë shkruhen me fjalë, por ndërrohen me plumba”, tha ai. Ai ka thënë se nuk e kupton ku është dallimi mes korrigjimit, apo shkëmbimit të territorit.
O’connell ka thënë se trajtimi i shqiptarëve të Preshevës nga qeveria e Serbisë duhet të jetë i barabartë me qytetarët e tjerë që janë atje. Madje ai ka thënë se shqiptarët duhet të pranojnë faktin që Lugina tashmë nuk është pjesë e tyre.
Ai ka deklaruar se normalizim mes Kosovës dhe Serbisë për momentin nuk ka por që dialogu final, marrëveshja finale duhet patjetër të sjell një gjë të tillë.
Britaniku për T7 ka folur edhe për dukurinë e shpëlarjes së parasë në Kosovë, ku ka thënë se shumë politikanë mund të jenë të përzier në këtë çështje. Ai ka bërë thirrje që çdo rast të raportohet.
Ai ka folur edhe për dhunën në familje, konkretisht për vrasjen e Valbona Markut dhe vajzës së saj, për të cilën ka thënë trajtimi i grave dhe vajzave në Kosovë nuk është në pozitën e mirë. Ai ka thënë se gratë në Kosovë vazhdojnë të stigmatizohen.
360grade.al