Nga mali u arratis, pylli magjik,
e u përvodh në shtratin tim
Bulza drite mbi buzët e mia pluskojnë
si premtime amshimi nga i dashuri im
rojtari i ëndrrave të Bijës së Hënës.
Në breg të ujërave të arta dhe shkretinës me ngjyra
nuk kisha vënë ushtarë roje.
Dielli ish rojtar i thesareve
në strehën e zanave,
njëra prej tyre në muzg
kurorëzohej Mbretëreshë.
Mbretëreshë fëmijë e pyllit magjik
që limfon dritë
në ashte të njoma
të foshnjave që jetojnë ende
në zemrën e Zotit.
Bulza dritë-jete
rrjedhin butë nga qiejtë
në këtë natë që kryhet shpejt dhe është përgjithmonë
ku trëndafili ngriu brenda një kupe
në kupën e shtatë të Premtimeve të Engjëjve.
Mira Tuci