Një çift britanik, i cili mbërriti në SHBA për të kaluar muajin e mjaltit që kishin ëndërruar gjithmonë, përfunduan të bllokuar për të paktën 26 orë në aeroport, përpara se të riktheheshin në Londër.
Gjithçka, sipas tyre, ndodhi pasi dhëndri ishte mysliman.
Siç raporton “The Sun”, Natasha Politakis, 29 – vjeç dhe Ali Gul, 32 kishin shpenzuar 7 mijë paund për udhëtimin e tyre 2 javor në Los Angeles, Hawaii dhe Las Vegas, percjell tvklan.al.
Por çifti i sapomartuar nga Londra thotë se sapo shkelën në SHBA, u shoqëruan në një prej ambienteve ku qëndrojnë të ndaluarit për emigracion.
Ata tregojnë se u trajtuan si “kriminelë” dhe nuk iu tha kurrë se përse iu refuzua hyrja, por dyshojnë se shkak është bërë origjina turke e Ali.
Duke folur për të përditshmen britanike, Natasha shpjegon se fillimisht iu tha se do t’i bënin vetëm disa pyetje, por në fund përfunduan duke u kthyer në Londër.
“Jam e shokuar nga ajo që ndodhi. Sapo ishim martuar dhe ishim nisur për muaji mjalti, më të lumtur se kurrë. Gjëja e fundit që prisnim ishte që të deportoheshin. Na trajtuan si kriminelë, ndërkohë kishim çdo dokument në rregull”, rrëfen e reja.
Sipas saj, autoritetet e aeroportit u mjaftuan me emrin e bashkëshortit të saj, menduan se ishte mysliman dhe e ndaluan që të futej në SHBA.
Ata u kurorëzuan në martesë në Maj dhe dy javë më vonë u nisën për muaj mjalti.
Ali, agjent i pasurive të patundshme ka pasaportë britanike, megjithatë partneri i tij në biznes kishte aplikuar për të paktën 8 viza turistike në Amerikë, por të gjitha iu refuzuan.
Natasha dhe Ali humbën të gjitha paratë që kishin shpenzuar për muajin e mjaltit dhe ende nuk kanë arritur të marrin një përgjigje nga autoritetet amerikane për arsyen përse nuk u lejuan të futeshin në këtë shtet.
360grade.al