Home KRYESORE Familja italiane pagoi shpenzimet, mbërrin në Durrës trupi i shqiptarit të vrarë

Familja italiane pagoi shpenzimet, mbërrin në Durrës trupi i shqiptarit të vrarë

Trupi i të riut shqiptar që u vra në Itali, Viktorian Picakut ka mbërritur në Shqipëri përmes portit të Durrësit. Trupi i Picakut ka mbërritur sot rreth orës 08:30 të mëngjesit.

Në Durrës, trupin e pajetë të Picakut e kanë marrë familjarë dhe të afërmit e tij. 24-vjeçari Viktorian Picaku u vra më 2 gusht në sheshin Abazzia në Bari të Italisë. Picaku u ekzektua me 2 plumba një në kokë dhe një në mushkëri.

Picaku ndërroi jetë menjëherë pas të shtënave. Në momentin e sulmit me të ishte edhe vëllai i tij. Dy autorët e dyshuar që vranë të riun shqiptar janë vetëdorëzuar 24 orë pas ngjarjes në polici. Familjarët thanë se shkaku i vrasjes ishte sherri për një vajzë.

Prindërit e Picakut, Lekë dhe Kristina Picaku nga ekrani i Report Tv apeluan për ndihmë nga instancat shtetërore për të sjellë trupin e tij në Shqipëri. Por ishte një familje e pasur në Corato të Barit, që pas fushatës së solidarizimit nga shumë qytetarë italianë për Picakun, pagoi shpenzimet për transportimin e trupit në Shqipëri. / Shqiptarja.com

Share: