Nga Enriko Ceko
Sot është një ditë e veçantë dhe për mua personalisht është kënaqësi që të jemi së bashku në një takim ku mund të bisedojmë për idetë e lira, me frymë demokratike dhe tërësisht kombëtare.
Marrëveshja e Mukjes duhet parë si një ngjarje ndër më të rëndësishmet në historinë e Luftës kundër okupatorit për një Shqipëri etnike, të pavarur dhe demokratike (dhe jo vetëm).
Marrëveshja e Mukjes lehtësisht mund të konsiderohet si një kontratë nëpërmjet së cilës merrte jetë edhe në mënyrë ligjore zgjidhja e çështjes kombëtare.
Çështja kombëtare është problem kryesor ku ne mund dhe duhet që të fokusohemi në strategjinë tonë, sepse pa zgjidhur çështjen kombëtare nuk mund të jemi konkurrues në rajon dhe më gjerë.
Pa zgjidhur çështjen kombëtare nuk mund të përballemi për të arritur rezultate pozitive dhe suksese politikisht, ekonomikisht, nga ana sociale, kulturore, sportive, etj me asnjë komb tjetër.
Parë nga aspekti komb dhe shtetformues, Marrëveshja e Mukjes lehtësisht mund të krahasohet me kuvendet e lidhjet e realizuara ndër shekuj nga të parët tanë, ku përmend Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës dhe Lidhjen e Prizrenit.
Kombi dhe forma e regjimit ishin dy çështjet e shumë debatuara nga palët e interesuara, përpara, gjatë dhe pas Marrëveshjes së Mukjes. Janë pikërisht dy çështje që ende nuk kanë gjetur zgjidhje edhe sot. Jemi një komb i ndarë në pesë shtete dhe edhe pse themi se kemi republikë parlamentare dhe ekonomi tregu, në fakt fuqia e të tëra pushteteve shpesh është vënë në duart e një individi dhe ekonomia shqiptare ende nuk ka tiparet themelore të ekonomisë së tregut, konkurrencën dhe pronën. Është fakt se në Shqipëri vështirë se mund të identifikohet ekzistenca e konkurrencës në ndonjë aspekt të jetës dhe specifikisht në ekonomi dhe kemi ende shumë probleme me pronëne pronësinë.
Ajo që duhet të theksojmë sot dhe të tërheqim vëmendjen e të tërë të interesuarve si në aspektin kombëar, ashtu dhe në aspektin ndërkombëtar, është çështja e bashkimit kombëtar. Përçarja që u mboll pas Marrëvëshjes së Mukjes duket se ende edhe sot nuk na është fashitur. Nga të gjithë anët e politikës, me disa përjashtime, dëgjohën vetëm mashtrime, fyerje, shpifje, kërcënime, sharje, gënjeshtra, etj, që në fund të fundit nuk bëjnë gjë tjetër veçse i mbajnë shqiptarët të përçarë, dhe kjo thjesht dhe vetëm për interesa personale të disa kokave të nxehta në vend dhe të disa qarqeve dashakeqe në rajon.
Në lidhje me formën e regjimit, dhënia e mundësisë që një individ të kontrollojë disa pushtete duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.
Mendoj se ne, sot, kemi aq inteligjiencë dhe mundësi sa t’u bëjmë ballë këtyre situatave të padëshërueshme dhe të papranueshme.
I kërkoj historianëve të vlerësojnë me objektivitet të gjithë patriotët që kontribuuan për lirinë e vendit dhe bashkim kombëtar. Është e drejta dhe detyra jonë e madhe që ngjarjet përpara, gjatë dhe pas Marrëveshjes së Mukjes të zbardhen me objektivitet, pa mbjellë urrejtje dhe përçarje.
Gjithashtu, është detyra jonë që të të përkujtojmë Marrëveshjen e Mukjes dhe ngjarje të tjera të historisë tonë të përbashkët, pavarësisht nga pikëpamjet tona politike dhe të interesave që përfaqësojmë, në mënyrë që ne dhe pasardhësit tanë të aspirojnë për përmirësim të cilësisë së jetës, identitet kombëtar dhe për të qenë të barabartë midis të barabartëve me kombet e tjera.
Sot kujtojmë figura të nderuara të kombit tonë, që u bashkuan për interesat tona kombëtare. Unë nuk po përmend emra, sepse jam i bindur se folësit e tjerë do sjellin këtu ngjarje dhe fakte për ta, por mendoj se duhet që të theksohet që këta individë bënë një përpjekje tepër të lavdërueshme në vazhdën e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri dhe aspirata kombëtare. Me këtë rast ju ftoj që të shikojmë së bashku përpara për një të ardhme më të mirë për ne dhe pasardhësit tanë, pa harruar të kaluarën, sado e hidhur dhe e padrejtë të kete qenë ajo. “Një komb që harron të shkuarën nuk ka garanci për të patur të ardhme”, ka thënë Winston Çurçill.
Me respekt të thellë, kujtojmë sot, misionin anglez në Shqipëri, djemtë e popullit britanik që kanë dhënë jetën në Shqipëri gjatë kësaj periudhe dhe ndihmën e pakursyer që populli dhe qeveria britanike kanë dhënë gjatë Luftës II Botërore dhe ndihmën e madhe politike dhe ekonomike pas vitit 1990 për nxitjen e ndryshimeve në Shqipëri dhe padyshim në periudhën e Luftës së Kosovës. Pa mbështetjen e Britanisë së Madhe, SHBA-ve dhe aleatëve, Kosova e pavarur do ishte një ëndërr.
Duke e mbyllur fjalën time, bëj thirrje për bashkim kombëtar. Bëj thirrje për Drejtësi. Bëj thirrje për progres. Shqipëria është e madhe sepse shqiptarët janë një komb i madh. Shqipërinë do ta bëjmë edhe më të madhe dhe kombi ynë do mbijetojë ndër shekuj. Ju ftoj të kontribuojmë së bashku për idealin tonë kombëtar.