Home KRYESORE Mijëra njerëz në rrugë, shkopinj, gaz dhe të plagosur; çfarë po ndodh...

Mijëra njerëz në rrugë, shkopinj, gaz dhe të plagosur; çfarë po ndodh në Rumani

Mijëra protestues u mblodhën të premten kundër partisë qeverisëse të Social Demokratëve (PSD) në gjithë Rumaninë dhe kryesisht në kryeqytetin e vendit, Bukuresht, ku policia sulmoi me gaz lotsjellës  turmën e njerëzve, ndërsa qindra persona kishin nevojë për kujdes mjekësor.

Protestat u organizuan dhe u promovuan nga persona që jetonin dhe punonin jashtë vendit, për shkak të zemërimit ndaj nivelit të lartë të korrupsionit në vend, pagave të ulëta dhe përpjekjeve të PSD-së për të dobësuar gjyqësorin në një nga shtetet më të korruptuara të Bashkimit Europian.

Protestuesit u përpoqën me forcë, që të kalonin përmes trupave të sigurisë që ruajnë ndërtesat qeveritare. Disa të tjerë, gjatë trazirave me policinë, hodhën shishe me benzin dhe shkopinj; ndërsa forcat e policisë deklaruan se mes protestuesve në shesh ekzistonin edhe grupe provokatorësh.

Ndërsa protesta vazhdoi edhe gjatë gjithë natës, për të shuar atë, policia përdori sulm me ujë dhe gaz lotsjellës. Videoja e publikuar në rrjetet sociale, tregon policinë teksa sulmon protestues jo të dhunshëm, të cilët kishin ngritur duart lart.

Më shumë se 400 persona kërkonin ndihmë mjekësore, duke përfshirë edhe dy policë të cilët u shkëputën nga njësia e tyre. Ndërsa dhjetra apo mijëra të tjerë, organizuan protesta paqësore në qytete të ndryshme të Rumanisë.

Presidenti rumun i qendrës, Klaus Iohannis, dënoi përdorimin e forcës nga policia ndaj protestuesve.

Unë dënoj në mënyrë kategorike ndërhyrjen brutale të policisë përgjatë protestave, një forcë jo e barabartë ndaj shumicës së njerëzve në shesh,- shkruan ai në faqen e tij në Facebook.

“Ministria e Brendshme duhet të sqarojë urgjentisht mënyrën se si i trajtoi ngjarjet sonte”.

Diaspora proteston

Në mesin e turmës në Bukuresht ishte një shofer kamioni, i quajtur Daniel Ostafi, 42-vjeç, i cili emigroi drejt Italisë 15-vjet më parë për një të ardhme më të mirë. 42-vjeçari tregon se Rumania nuk mund të ofrojë një prespektivë të mirë për të dhe familjen e tij. E njëjta gjendje është edhe për Mihai Podut, 27-vjeç, një punëtor ndërtimi i larguar në vitin 2014 drejt Francës dhe më pas në Gjermani.

Ata u bashkuan me mijëra njerëz jashtë selisë qeveritare në temperatura të larta, duke valëvitur flamuj rumunë dhe atë të Bashkimit Europian, ndërsa kërkonin dorëheqjen e qeverisë. Mesazhet e tyre në ndërtesat qeveritare dhe rreth sheshit, ishin: ‘Ne jemi populli’ dhe ‘Jo, dhunë’.

Rreth 5 milion rumunë punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, duke nisur nga punëtorët e ditës dhe deri tek mjekët. Ata dërguan para në shëtpi më pak se 5 milion dollarë vitin e kaluar, një litar shpëtimi për zonat rurale të një prej vendeve më të pazhvilluara të BE-së.

Unë u largova për t’i dhënë fëmijëve të mi një jetë më të mirë, e cila këtu nuk ishte e mundur”, tha Ostafi.

Për fat të keq, ende nuk është e mundur…njerëzit që na qeverisin nuk janë të kualifikuar dhe janë tepër të korruptuar”,– tha ai, duke shtuar se shpresonte në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shihte një pjesëmarrje më të madhe të njerëzve.

Protesta paqësore në Rumani janë mbajtur vazhdimisht që kur socialdemokratët morën pushtetin në fillim të vitit 2017.

Një vit më parë, ata bënë ndryshime në kodin penal përmes parlamentit, duke shqetësuar kështu Komisionin Evropian dhe Departamentin e Shtetit. Ndryshimet nuk janë miratuar, por është një sfidë për Gjykatën Kushtetuese.

Rumania renditet si një nga shtetet më të korruptuara të BE-së dhe Brukseli e mban sistemin e saj të drejtësisë nën vëzhgim të posaçëm.

Disa politikanë vendas e përqeshën protestën masive popullore në Rumani, duke deklaruar se nuk e kuptojnë se për çfarë arsye diaspora ka nisur protestat.

Pothuajse i gjithë sektori publik nuk funksionon mirë, duhet të ndryshohet plotësisht dhe të zëvendësohet me njerëz të aftë“, -tha Podut./Opinion.al/

Share: