Home KRYESORE Ndarja e Kosovës, organizatat e shoqërisë civile i shkruajnë Mogherinit

Ndarja e Kosovës, organizatat e shoqërisë civile i shkruajnë Mogherinit

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe Serbi i kanë dërguar përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini, një letër, me anë të së cilës i kërkojnë të bëjë publik një qëndrim të qartë në lidhje me idenë e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve mbi baza etnike.

Në letrën që mban firmën e 37 organizatave të shoqërisë civile, serbe dhe kosovare, thuhet se vënia në zbatim e një ideje të tillë do të prodhonte një reaksion zinxhir te shtetet e tjera të Ballkanit, çka do të çonte në konflikte të reja.

Letra e plotë

E nderuar zonja Mogherini,

Organizatat e shoqërisë civile në Serbi dhe Kosovë ju bëjnë thirrje që të bëni një deklaratë të qartë kundër ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë mbi parimin e etnisë. Shpeshherë, përmendja e mundësisë së rikthimit të kufijve dërgon një mesazh shumë të rrezikshëm për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, si dhe të gjithë rajonit, se ekziston një mundësi reale për të legjitimuar një propagandë të rrezikshme të pronësisë etnike mbi territorin, një princip që e ka nxitur shpesh rajonin drejt konflikteve të përgjakshme.

Zhvillime të tilla do të prodhonin në mënyrë të pashmangshme një reaksion zinxhir te shtetet e tjera të Ballkanit dhe do të çonin në kërkesa të shumta për ndryshime të kufijve në Ballkan, çka u hap derë konflikteve të reja. Gjithashtu, kjo do të ishte një mesazh i rrezikshëm për të gjithë serbët dhe shqiptarët që jetojnë në “anën e gabuar” të shteteve “të tyre” etnike, të cilat mund të çojnë drejt një eksodi të ri të popullsive në Ballkan.

Organizatat e shoqërisë civile kanë tentuar për dekada të tëra të përmirësojnë komunikimin dhe bashkëpunimin midis dy komuniteteve, duke vënë para së gjithash mirëqenien e banorëve të Serbisë e Kosovës dhe të ardhmen e të gjithë rajonit. Është e nevojshme të krijojmë një paqe të qëndrueshme në rajon dhe të pranojmë ndër-kulturën dhe multietnicitetin si parakushte për zhvillimin dhe aspiratat e integrimit në BE. Vendet e pastruara etnikisht, modeli i vjetruar i shekullit të XIX, nuk duhet të jenë qëllimet e asnjë politike, as duhet të tolerohen dhe të mbështeten nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Organizatat e shoqërisë civile i ftojnë të gjithë aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë që të kundërshtojnë në mënyrë aktive përpjekjet për të vendosur parimin etnik si bazë në ndërtimin e shteteve në Ballkan. Çdo shtet që bazohet në diskriminim dhe i ndan qytetarët mbi çfarëdo bazash është i destinuar të dështojë. Një shoqëri që zhvillohet mbi vlera, të cilat kundërshtojnë respektin për të drejtat themelore të njeriut, dënohet me nacionalizëm, izolim dhe mungesën e shpresës. Gjithnjë e më shumë të rinj po largohen tashmë nga vendet tona, dhe territoret, për të cilat elitat kombëtare dhe politike po luftojnë sot, do të përpiqen ta bëjnë këtë pa forcat lëvizëse demokratike.

Organizatat e shoqërisë civile ftojnë bashkësinë ndërkombëtare, por mbi të gjitha autoritetet në Serbi dhe Kosovë, që t’i përkushtohen krijimit të kushteve më të mira të jetesës për të gjithë banorët e Kosovës (duke përfshirë lirinë e lëvizjes, biznesit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar) gjatë negociatave, duke siguruar që krimet e së kaluarës të mos përsëriten më kurrë (duke përfshirë gjetjen e personave të zhdukur si detyrë parësore për të dy vendet) dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e sistemeve ligjore dhe demokratike të qeverisë në Kosovë dhe Serbi. Vetëm negociata të tilla janë një garanci për një jetë të sigurt dhe dinjitoze për të gjithë njerëzit, pavarësisht dallimeve kombëtare ose ndonjë dallimi tjetër.

Share: