Task Forca e OSHEE ka kryer sot disa kontrolle në rajonin e jugut, ku janë evidentuar edhe abonentë që vidhin energjinë elektrike. Në Gjirokastër është kapur duke vjedhur energjinë vëllai i drejtorit të njësisë së OSHEE për qytetin, Rezart Hoxha.
Task Forca e mbërritur nga Fieri, ka konstatuar se në lokalin e shtetasit Dritan Hoxha, vidhej energji elektrike. Lokali ndodhet në qendër të qytetit të Gjirokastrës. Mësohet se çështja është referuar në Prokurorinë e Gjirokastrës, shkruan Lapsi.al. Nuk dihet se prej sa kohësh Dritan Hoxha vidhte energjinë elektrike në biznesin e tij.
A ka qenë në dijeni vëllai i tij që është drejtor në OSHEE? Këto pritet të zbardhen nga hetimi i Prokurorisë, por sidoqoftë pas kësaj, drejtori Rezart Hoxha duhet minimalisht të dorëhiqet. Është pa sens që ai të shkojë të ndërpresë lidhjet e paligjshme në abonentë të tjerë, kur ka mbyllur sytë para biznesit të vëllait të tij.
Një ditë më parë humbi jetën një burrë në Shkodër në përpjekje për të rilidhur energjinë elektrike pasi i ishte ndërprerë ngaqë nuk e paguante dot. Ai la jetimë 8 fëmijë. Plot raste të tjera kemi parë në këto vite sesi arrestohen njerëz qe kapen duke vjedhur energjinë elektrike, kemi parë familje të këputura që rrijnë në errësirë sepse nuk kanë mundësi të paguajnë. Ana tjetēr e këtij realiteti të trishtë janë njerëzit e lidhur me fijet e pushtetit, që vjedhin energjinë elektrike dhe pasuri të tjera publike./opinion.al