Home KRYESORE Tre muaj dhe masa kritike ndersa mbizotëron ajo që quhet shoqëria kopile!

Tre muaj dhe masa kritike ndersa mbizotëron ajo që quhet shoqëria kopile!

Nga Dr. Enriko Ceko

Siç edhe e kemi vendosur, e mblidhemi çdo mbrëmje dhe diskutojmë e debatojmë së bashku për çështjen e teatrit kombëgar dhe atij eksperimental dhe çështje të tjera që na bashkojnë e që kërkojnë zgjidhje. Ligji për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental është një ligj i jashtëligjshëm, ashtu si edhe disa prej ligjeve, VKM-ve, urdhëresave, rregulloreve e akteve të tjera nënligjore që dalin në këtë vend nga institucionet publike.

Në vendet e zhvilluara njerëzit e mirë bëjnë ligje për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe me kalimin e kohës këto ligje vjetërohen apo shfrytëzohen nga njerëzit e këqinj dhe përsëri njerëzit e mirë mblidhen së bashku dhe përmirësojnë ligjet e bëjnë ligje edhe më të mira, të cilat me kalimin e kohës përsëri vjetërohen e shfrytëzohen nga njerëzit këqinj, e kështu me rradhë. Kjo është dielaktika e zhvillimit të legjislacionit. Kjo është ajo se ç’farë tregon edhe historia botërore që nga kohët që nuk mbahen mend.

Në Shqipëri ka filluar të ndodhë krejt ndryshe. Në Shqipëri, ligjet bëhen të këqija që në fillim dhe kjo sepse në procedurat e bërjes së ligjeve në Shqipëri lejohen që të futin hundët, duart e ndonjë gjë tjetër njerëzit e këqinj.

Nga një këndvështrim tjetër, në Shqipëri, ligjet nuk zbatohen dhe nëse ligjet nuk zbatohen nuk mund të thuash se ato janë të mira. Që një ligj të jetë i mirë duhet që të zbatohet dhe të japë efektin për të cilin është krijuar. Nëse nuk e përdorim ligjin dhe nuk e zbatojmë atëhere nuk e dimë nëse ligji është i mirë dhe se sa i mirë është. Në këto raste, kur nuk zbatohet ligji, vendi qeveriset me urdhëra. Të qeverisësh me urdhëra mund të japë efekt për një kohë të caktuar dhe kjo ndodh më së shumti në shtetet diktatoriale, ku drejtuesi, udhëheqësi, lideri jep urdhëra që zbatohen pa diskutim dhe kur udhëheqësi nuk është më, vendi shkon në kaos të plotë dhe anarki, sepse nuk qeveriset as nga ligji dhe as nga urdhëri dhe nuk ka e kush të japë urdhëra që respektohen e ndiqen verbërisht.

Në këto raste qytetarët nuk janë mësuar të respektojnë ligjin dhe qeverisja e vendit kalon në duar të gabuara që hartojnë ligje jo të përshtatshme, te të cilat ka hapësira ligjore të shumta të lëna të tilla me qëllim për të penetruar njerëzit këqinj, duke synuar përfitimet e të tëra natyrave.

Kështu ka ndodhur në Gjermaninë naziste, në të cilën me rënien e HItlerit, shteti u shkërmoq dhe vendi kaloi në kaos dhe anarki dhe, për përballimin e kësaj gjendje u desh një plan shumë I madh ndërkombëtar me ndihma politike, ekonomike, etj.
Kështu ndodhi edhe në Kili, ku regjimi diktatorial, edhe pse pretendonte liberalizimin dhe tregtinë e lirë, qeveriste me urdhëra, që e çuan vendin në një revolucion të pashembullt kur bëhet fjalë për kostot në burime njerëzore, financiare dhe natyrore dhe në imazhin e vendit.

Kështu ka ndodhur edhe në vendin tonë përgjatë periudhës së pas Luftës II Botërore deri në vitin 1990, kur vendi drejtohej nga urdhëri që jepte diktatori, rënia e të cilit e la vendin me një vakum shumë të madh ligjor, të cilin ende nuk e kemi mbushur, drejt përafrimit të vendit me legjislacionin evropian.

Edhe periudha e viteve 1997 – 1998 është tipike periudhë kur në vend mbizotërinte urdhëri mbi ligjin dhe mbi standardin. Kjo bëri qe vendi të shkojë në anarki totale dhe të shkatërroheshin vlera të shumta materiale e financiare.

Ne kemi parë së bashku këto ditë në sheshin përpara Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental dramën “Arturo Ui”, filmin “Diktatori”, dokumentarin “Rrobat e reja të mbretit” dhe sot do shikojmë një dokumentar për ngjarjet në Egjipt, që çuan në rënien e regjimit të Mubarakut dhe të qeverisjeve të papërshtatshme të këtij vendi deri në ditët tona.

Edhe këto filma, drama, dokumentarë, etj nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë më së miri rolin që ka shoqëria në zhvillimin e jetës politike, ekonomike, sociale, sportive, kulturore, etj në një vend të caktuar.

Në çdo vend të botës shoqëria ndahet në shoqëri civile, shoqëri debile dhe shoqëri kopile. Në vendet e zhvilluara predominon shoqëria civile, e cila përballet me padrejtësitë dhe ligjet jo të përshtatshme që mund të kalojnë në Parlament. Ësht kjo shoqëri civile që mbron jetën e qytetarëve, shëndetin e tyre, mjedisin, burimet natyrore, etj dhe nuk lejon që qeverisja në të tëra nivelet të abuzojë me pushtetin.

Në vendet diktatoriale shoqëria është në fazën e shoqërisë debile. Në këto vende individi është i shkolluar, inteligjient, i kupton dukuritë dhe zhvillimet e jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore e sportive në vend, por ka frikë të flasë me të tjerët. Nëse flet dhe organizohet në subjekte joqeveritare për të mbrojtur të drejtat, arrestohet, burgoset dhe i rrezikohet jeta. Shoqëria nuk ka hapsira dhe zhvillimi është në dorë të atyre që drejtojnë vendin me urdhëra. Shoqëria civile nuk ekziston.

Në vendet postdiktatoriale, siç është edhe rasti i Shqipërisë pas vitit 1991, mbizotëron ajo që quhet shoqëria kopile. Shoqëria kopile është ajo pjesë e shoqërisë që bën ligje jo të mira, që bën korrupsionin, që bën një mijë të zeza, që vjedh e mashtron, që merret me drogë dhe kalim të paligjshëm të kufirit të substancave të rrezikshme, etj. Kjo lloj shoqërie nuk lejon zhvillimin e vendit, që me kalimin e kohës bëhet i pajetueshëm për pjesën e mirë të shoqërisë. Si rezultat vendi zbrazet nga popullsia dhe burimet njerëzore, natyrore dhe financiare shkojnë drejt shkatërrimit.

Kjo po ndodh edhe në Shqipëri. Ne që mblidhemi këtu çdo mbrëmje jemi një bërthamë që e duam t’a mbrojmë teatrin dhe trashëgiminë tonë kulturore dhe trashëgiminë e qytetit të Tiranës. Po ashtu si edhe ne, në fushën e mjedisit ka të paktën dhjetë a njëzetë te tjerë. Po ashtu në fushën e cilësisë, sigurisë dhe garancisë ushqimore ka nja dhjetë a njëzetë të tjerë. Po ashtu edhe në fushën e ujësjellës kanalizimeve, rrugëve e infrastrukturës, ndërtimeve, sportit, kulturës, etj. Këto grupime njerëzish janë bërthama të përgjegjëshme dhe të ndërgjegjëshme qytetarësh, që, nëse bashkohen mund të krijojnë një numër të tillë njerëzish që formojnë atë që quhet “masa kritike”, e cila mund dhe duhet të jetë e aftë të përballet me arrogancën e pushtetit dhe mendjemadhësinë e opozitës.

Nga kjo masë kritike del edhe lidershipi që drejton lëvizjen qytetare dhe lideri i përshtatshëm për të synuar mendimin e formësuar politik. Mendoj se kjo është një nga rrugët më të mira që ne të tërë së bashku të nxjerrim anijen në breg, sepse ajo është tashmë në mes të oqeanit ku e rrahim erëra të shumta dhe të frikshme. Me tej pasi ta nxjerrim anjine në breg e riparojmë dhe e furnizojmë për të udhëtuar përsëri. Kjo është rruga e vetme që ne të tërë së bashku të punojmë dhe kontribuojmë për vendin tonë dhe interesat tona të përbashkëta kombëtare, shoqërore, klasore, familjare dhe individuale.

Share: