Presidenti Donald Trump njoftoi të premten se kishte anuluar udhëtimin e planifikuar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, drejt Koresë së Veriut, sepse “nuk është bërë ende progres i mjaftueshëm” drejt objektivit për denuklearizimin e gadishullit Korean.
Përmes rrjetit të tij të preferuar social, “Twitter”, Trump tha se vizita e Pompeos, e planifikuar për javën e ardhshme, ndoshta mund të mos bëhet derisa Uashingtoni të ketë zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare të saj me Kinën.
Sipas asaj që shton shefi i Shtëpisë së Bardhë, Kina nuk po ndihmon më në çështjen e Koresë së Veriut.
Ky konsiderohet si një ndryshim dramatik i tonit nga ana e Trumpit, i cili më herët kishte lavdëruar samitin e qershorit me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong-un, si të suksesshëm, ndërkohë që shprehej se kërcënimi bërthamor nga Koreja e Veriut kishte marrë fund.
“I kam kërkuar Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo të mos shkojë në Korenë e Veriut në këtë moment, pasi mendoj se nuk është arritur progres i mjaftueshëm në lidhje me denuklearizimin e gadishullit Korean”, shkruan Trump.
Negociatat ngecën që pas samitit të qershorit në Singapor. Pompeo do të përpiqej të nxiste hapa konkretë në braktisjen e arsenalit bërthamor nga Koreja e Veriut, ndërkohë që Peniani kërkon që të jetë Uashingtoni, i pari që do të bëjë lëshimet e veta.
Deklarata e Trumpit vjen vetëm një ditë pasi Pompeo njoftoi se do ta vizitonte sërish Korenë e Veriut dhe do të merrte me vete edhe përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara, Stephen Biegun, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin.
Por, siç thekson një zyrtar i lartë i administratës, Trump i ka kërkuar Pompeos të mos e bëjë këtë udhëtim gjatë një takimi të kësaj të premteje në Shtëpinë e Bardhë.
“Për shkak të qëndrimit tonë më të ashpër mbi tregtinë me Kinën, nuk besoj se ata do të ndihmojnë me procesin e denuklearizimit, siç po bënin, pavarësisht sanksioneve të OKB-së që mbeten ende në fuqi”, shkroi më tej Trump.
“Sekretari Pompeo mund të shkojë së afërmi në Korenë e Veriut, ndoshta pasi të jetë zgjidhur marrëdhënia jonë tregtare me Kinën. Ndërkohë, do të doja t’i dërgoja urimet më të mira udhëheqësit Kim. Mezi pres të takohem sërish me të, së shpejti”./ Tch
l.h/ dita