Keni njohur dikë të cilin e keni takuar tre herë, dhe të treja herët keni kaluar shumë mirë bashkë. Në asnjë moment nuk pati heshtje apo biseda të sikletshme. Në asnjë moment nuk pati shenja apo ngërçe që kjo histori nuk do të ketë fund të mirë. Flisnit çdo ditë bashkë, deri kur papritur ky person ndalon së shkruari. Mund të kalojnë ditë të tëra pa folur dhe një ditë e takon rastësisht ose të shkruan sikur nuk ka ndodhur asgjë e keqe; sikur hera e fundit që folët ishte para 1 ore.
Një situatë e tillë ose e ngjashme na ka ndodhur të gjithëve më shumë se një herë. Na ka ardhur në majë të hundës dhe kemi menduar që mbase është më mirë të heqim dorë nga takimet romantike e nga njohjet e reja.
Por si ta kuptoni nëse duhet të bëni një pushim nga njohjet e reja?
Kontrolloni kalendarin. Nëse është i mbushur me takime të planifikuara vetëm sepse nuk dëshironi të mbylleni në shtëpi, atëherë keni nevojë për pushim. Frika se do të mbeteni vetëm dhe se nuk do të njihni kurrë të duhurin është normale dhe kjo ju shtyn të dilni në takime të kota që nuk iu përmbushin. Nuk ka asgjë të keqe të thoni jo dhe mos u shqetësoni për faktin që do të përfundoni vetëm me shtatë mace.
Kontrolloni mesazhet me mikeshat e juaja të ngushta. Nëse bisedat tuaja lidhen me faktin “a do të më shkruajë apo jo” më shumë sesa me përshkrimin e eksperiencave të bukura, edhe kjo është një shenjë.
Një mënyrë tjetër për ta kuptuar nëse duhet të hiqni dorë nga takimet? Kur planet për t’u takuar me një mashkull i kalojnë të gjitha të tjerat. Më parë e mbushnit kohën me miq apo aktivitetet e juaja të preferuara, e tani mbani kohën e lirë që kur t’ju telefonojë AI, të jeni e gatshme në çdo moment për t’u takuar. Në këtë rast keni absolutisht nevojë për shkëputje nga njohja juaj e fundit. Dita juaj duhet të rregullohet sipas jush, jo sipas një personi tjetër.
Kjo e fundit është një tregues që nuk jeni e sigurtë në vetvete. Kur fokusoheni për të ndërtuar një lidhje, emetoni ndjenja ankthi dhe dëshpërimi, të cilat meshkujt i kuptojnë.
Shkëputja nga njohjet ka dhe rreziqet e veta. Ndërkohë që po fokusoheni te të qenurit single, mund t’i mohoni mundësinë një djali të shkëlqyer që ja vlen vërtetë. Nga ana tjetër mund të ndiheni aq komod me të qenurit single sa filloni bindni veten që nuk do të jeni kurrë në një lidhje të lumtur, edhe pse kjo është gjëja që dëshironi më shumë në jetë.
Për ta parandaluar këtë, vendosni një afat. Dy muaj është koha ideale për t’u shkëputur por mos u ndjeni keq nëse hiqni dorë më herët. Fundja, takimet nuk janë si dieta.
Fokusohuni te vetja dhe te përmirësimi. Të qenurit single nuk do të thotë ta lini veten pas dore, përkundrazi! Rilidhuni me miqtë, shihni filmat e preferuar apo ndiqni një hobi. Ndërkohë është mirë të flisni me miqtë për të kuptuar se çfarë bëni gabim kur dilni me një të njohur të ri. Fokusohuni edhe te tipi i mashkullit me të cilin dëshironi të keni një lidhje. Të keni një ide të qartë në kokë ju ndihmon mos të humbni kohë me meshkuj që nuk ju përputhen./E. Lika/Opinion.al