Home KRYESORE Vrasja në Gjakovë/ Flet Prokurori: Gruaja kishte denoncuar në polici, por nuk...

Vrasja në Gjakovë/ Flet Prokurori: Gruaja kishte denoncuar në polici, por nuk u mor seriozisht

Valeriana Marku Nrecaj u vra të shtunën mbrëma bashkë me të bijën e saj nga ish-burri, Pjetër Nrecaj. Ndonëse e ndjera e kishte paralajmëruar policinë për kërcënimet që kishte marrë nga bashkëshorti pak orë para se të ndodhte vrasja, këta të fundit nuk i kishin konsideruar si shumë serioze ato kërcënime. Madje, policia nuk kishte dërguar as mbrojtje në shtëpinë ku po qëndronte Valeriana më të bijat dhe kërcënuesin nuk kishin arritur ta gjenin. Por, sot nga prokuroria në Gjakovë po thonë se nuk i morën shumë seriozisht deklaratat e Valerianës se ish-burri po e kërcënonte.

Një konflikt i mëhershëm mes çiftit dyshohet t’i ketë paraprirë vrasjes së dyfishtë që tronditi Gjakovën të martën mbrëma. Valeriana Nrecaj bashkë me vajzën e saj u vranë nga bashkëshorti i saj, Pjetër Nrecaj, i cili kishte kohë që e kishte kërcënuar 40 vjeçaren nga Tropoja.

Hiç më larg se katër orë para se të ndodhte ngjarja makabre, Valerina kishte raportuar në Polici për kërcënimet që kishte marrë nga ish-burri.

Por, ndonëse Policia ishin në dijeni për këto kërcënime, nuk u mor as edhe një masë e vetme për mbrojtjen e jetës së Valerianës. Deklaratat e saj në polici nuk i morën seriozisht. Madje, nuk kishin dërguar as mbrojtje në shtëpinë ku po qëndronte Valeriana më të bijat e kërcënuesin nuk kishin arritur ta gjenin, pasi që telefoni i tij ishte gjatë tërë kohës i fikur.

Së paku kështu ka deklaruar Kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj, në një prononcim për Gazetën Express.

Selimaj ka thënë se viktima e kishte raportuar rastin në polici dhe pas kësaj Policia e kishte hapur rastin si ‘kanosje’, por nuk ishte konsideruar si shumë serioz ky kërcenim, pasi që as viktima nuk kishte kërkuar mbrojtje.

“Viktima ka ardhë e ka raportuar rastin në Polici, po nuk ka kërkuar mbrojtje edhe nuk është konsideruar si shumë serioz kërcënimi. Ai ka qenë kërcënim, por ajo pasi nuk ka kërkuar mbrojtje nuk e kemi dërguar”, ka thënë Salimaj, për Express.

E për policët që ishin në detyrë në kohën kur Ndrecaj vrau bashkëshorten dhe të bijën, Salihaj nuk ka dhënë shumë detaje. Ai ka thënë vetëm se ata nuk kanë faj, gjersa ka treguar se Prokurore kujdestare atë ditë ishte Dëshirë Jusaj.

“Policët nuk kanë pas faj, ata e kanë lyp kërcënuesin prej momentit që gruaja e ka raportuar rastin në Polici, por nuk e kanë gjetë edhe ai e ka ndal telefonin”, ka deklaruar kryeprokurori.

Kur është pyetur për emrat e policëve që kanë qenë në detyrë, Selimaj thotë se nuk e di se kush ka qenë.

“Jo nuk i di emrat e policëve që kanë qenë. Prokurore kujdestare ka qenë Dëshirë Jusaj’, ka thënë ai.

E deri te vrasja, Prokurori thotë se dyshohet se erdhi pasi që Valerina nuk kishte pranuar të kthehej në shtëpinë e Pjetrit, kur ai kishte shkuar për t’i marrë. Pas, kësaj thotë se dorasi kishte marrë kallashnikovin kishte shkuar dhe i kishte vrarë gruan dhe vajzën e tij 9 vjeçare.

Prokurori ka thënë se tani i dyshuari është në spital për shkak se i është përkeqësuar gjendja, ndërsa në media është raportuar se i dyshuari e ka thyer hundën gjatë përleshjes me familjarët e viktimave.

Gazeta Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në familjen e viktimës. Aty kanë shpjeguar rreth momentit kur Pjetri u kishte shkuar në shtëpi.

Nipi i të ndjerës i tha Gazetës Express se Pjetër Nrecaj kishte shkuar dje gjatë ditës për ta takuar Valerianën me qëllim të rregullimit të raporteve. Por, nga aty Pjetri është larguar për t’u kthyer më vonë me një armë zjarri.

Por para se të shkonte në shtëpinë e viktimës, i dyshuari i kishte dërguar asaj në telefon një mesazh me përmbajtje kërcënuese.

“Tash të pret një dhuratë e bukur ty dhe lalushit do t’i dhembë zemra”, i kishte shkruar viktimës para se ta vriste.

Nga familja e së ndjerës tregojnë se ish-bashkëshorti ushtronte dhunë ndaj saj./Gazeta Express

Share: