Home I pakategorizuar Facebook nën presion pasi babai vret të bijën “live”

Facebook nën presion pasi babai vret të bijën “live”

Rrjeti më i madh social në botë, Facebook, është vënë nën presion të shtuar së fundmi pasi një burrë nga Tailanda transmetoi “live” videon ku vriste të bijën 11-muajshe.

20-vjeçari Wuttisan Wongtalay filmoi vrasjen e të bijës në çatinë e një hoteli në dy videoklipe, të cilët u transmetuan në “Facebook Live”, para se të kryente edhe vetëvrasjen, tha policia tajlandeze të martën.

Të afërmit i panë pamjet e tmerrshme mbrëmjen e të hënës dhe alarmuan policinë, e cila nuk arriti ta shpëtojnë as babanë as të bijën.

Dy klipet e vrasjes ishin të aksesueshme më pas në Facebook për pothuajse 24 orë, para se të hiqeshin në orën  17:00 me orën lokale të martën.

Videoja e parë ishte parë 112 000 herë deri mesditën e të martës, ndërsa videoja e dytë u pa 258 000 herë.

Ato po ashtu u ngarkuan në YouTube nga persona të tjerë, por kompania i hoqi brenda 15 minutash.

Sipas policisë, i riu nga Tajlanda kishte paranojën se e shoqja po e braktiste dhe nuk e dashuronte.

Një zëdhënës i Facebook-ut tha se “ky është një incident i tmerrshëm dhe ndjenjat tona janë me familjen e viktimës. Absolutisht nuk ka vend për përmbajtje të tilla në Facebook dhe videot tashmë janë hequr.”

Videot u hoqën nga Facebooku pasi një ministri tajlandeze kontaktoi me rrjetin social pas kërkesës së policisë.

Kjo nuk është hera e parë që shërbimi i videove të Facebook-ut ka transmetuar materiale të tilla.

Në muajin janar është transmëtuar “live” sulmi brutal dhe turturimi i një burri në SHBA.

Në muajin mars, një 15-vjeçare nga Çikago u sulmua seksualisht nga pesë apo gjashtë burra, sulm i cili u transmetua live në Facebook.

Në muajin prill, një vrasës në Cleveland, SHBA, transmetoi vrasjen e një 74-vjeçari. Autori i krimit u gjet i vdekur disa ditë më vonë.

Të martën një gjykatë në Suedi burgosi tre burra për përdhunimin “live” në Facebook të një gruaje në qytetin e Uppsalas.

Të gjithë këto raste kanë rritur presionin mbi kompaninë gjigante. Facebook tha se po rishikonte mënyrën se si monitoronte përmbajtjet e dhunshme pas incidentit në Cleveland. Ndërsa javën e kaluar, Mark Zuckerberg, tha se kompania do të bënte gjithçka mundte për të parandaluar publikimin e përmbajtjeve të pakëndshme në rrjet.

“Facebook Live” i jep mundësinë çdo personi me një smartphone të transmetojë video direkt në Facebook.

Facebook po përpiqet të mundë konkurrentët e Twitterit dhe YouTube-it me këtë veçori, por deri më tani i ka hapur shumë telashe kompanisë pasi është praktikisht shumë e vështirë të kontrollohet se çfarë poston on-line  në kohë reale një numër kaq i madh përdoruesish.

Facebook ka 1.86 miliardë përdorues aktivë në muaj, nga të cilët 1.74 janë përdorues nga celularët./tvklan.al

Share: