Babai kritikoi të birin 13 vjeç se i kishte marrë makinën pa leje dhe i kishte çarë edhe gomën, pa e menduar se kjo do të shkaktonte një tragjedi të rëndë në familjen e tij.
Vetëm pak momente pasi e kritikuan prindërit e tij, fëmija ka shkuar në një banesë tjetër që posedohej po nga familja e tij dhe është vetëqëlluar me një armë zjarri. Ngjarja e rëndë u zbulua dje rreth orës 16:40, kur babai i të miturit Meritan Aliaj, e ka gjetur atë të pajetë
NGJARJA
Ngjarja e rëndë që i mori jetën djalit të vetëm të familjes Aliaj, ndodhi në fshatin Fitore të Vlorës. Sipas të dhënave të Policisë së këtij qarku, e cila i referohet dëshmisë së babait të të miturit, gjithçka nisi në orët e paradites, kur djali i tij Meritani i kishte marrë pa leje mjetin që ai posedonte, fuoristradë. Fëmija ka bërë disa xhiro në rrugët e amortizuara të zonës, e, për pasojë, njëra gomë e mjetit është shpuar. Ai e ka parkuar makinën me gomën e shpuar para shtëpisë, por sapo e ka konstatuar i ati, ka nisur t’i bërtasë të birit. Ai është kritikuar edhe nga pjesa tjetër e familjes. Dyshohet se i mituri nuk e ka përballuar dot kritikën familjare dhe në kushtet e një ngarkese të fortë psikologjike, ai është nisur drejt një banese që e përdorte po familja e tij. Banesa ndodhej rreth 30 minuta më larg në këmbë, në periferi të fshatit. Edhe ai rrinte shpesh aty pasi bashkë me familjen e përdornin si stan për blegtori. Aty fëmija ka gjetur një armë, pistoletë TT, të cilën i ati e mbante të fshehur pa leje dhe është vetëqëlluar me plumb në kokë.
ZBULIMI
Plumbi në kokë i ka marrë jetën e menjëhershme të miturit. Por, ndërkohë, ngjarja është zbuluar disa orë më pas, kur mungesa e tij në shtëpi ka vënë në alarm familjen. Pasi kanë kontrolluar gjithandej dhe kanë pyetur edhe disa fqinj ku djali shkonte shpesh te moshatarët e tij, babai i tij është nisur menjëherë drejt banesës tjetër që kishin në periferi të fshatit. Por atje ai zbuloi se i biri ishte vetëvrarë me një armë që ai e mbante të fshehur diku në banesë. Dyshohet se arma ka qenë e mbushur dhe i mituri e ka pasur të lehtë ta përdorë atë.
“I bërtitëm pak paradite, pasi ai kishte marrë makinën time pa leje dhe kishte dalë nëpër fshat. Kishte çarë edhe gomën e mjetit dhe unë i bërtita, por nuk e mendova kurrë këtë tragjedi që më ndodhi. Djali u largua nga shtëpia dhe më pas u merakosa nga vonesa e tij. Nuk e gjeta asgjëkund këtu rreth shtëpisë dhe u nisa menjëherë te një shtëpi si stan që e kemi në periferi. Aty e gjeta tim bir pa jetë, ishte vetëvrarë me armë zjarri”, ka pohuar dje për grupin e hetimit babai i 13-vjeçarit.
Trupi i tij është dërguar në morg për të kryer veprimet e duhura dhe më pas u është dorëzuar sërish familjarëve për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Sipas fqinjëve të familjes, Meritani, këtë vit akademik, futej në klasën e tetë në shkollën e fshatit Fitore. Ai, gjatë muajve të verës, merrej me bagëtinë dhe rrinte shumë shpesh te banesa ku edhe u gjet i vetëvrarë. /Panorama