Liria përgjithësisht është një gjendje në të cilën ndryshimet e nevojshme arrihen pa shqetësime. Një qenie është e lirë kur e ndryshon atëhere kur shtë e nevojshme gjendjen e saj lehtësisht, pa u shqetësuar në gjendjen që është për ndryshimin që do të realizojë. Individi është i lirë apo në liri kur bën gjëra që në teori dhe në praktikë nuk janë të ndaluara nga forca të ndryshme. Në këtë pikë ndërthuren të balancuara tre çështje:
(1) dëshira e mire për ndryshim,
(2) vetëpërcaktimi për nevojën e ndryshimit
(3) përgjegjësia morale për ndryshimin.
Në përgjithësi njerëzit lirinë e orientojnë rreth asaj që quhet liria politike, apo të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të cilat janë një gjendje e pranuar pa ndërhyrjen e e shtetit, ku përfshihen liria e mbledhjes, shoqërizimit, e zgjedhjes, e lirisë së fjalës, etj. Të tjera zona të rëndësishme të lirisë janë liria ekonomike, liria akademike, liria intelektuale, etj.
Megjithatë unë personalisht, përveç sa më lart, e shikoj konceptin e lirisë si të përbërë nga tre shtylla të rëndësishme që janë: (1) pasja e lirisë, (2) të jetuarit në liri dhe (3) të shijuarit e lirisë.
Në këto 106 vitet e ekzistencës së shtetit shqiptar të paktën katër a pesë herë ne e kemi patur lirinë. Ajo tre herë na është dhënë dhe nja dy herë të tjera na është dukur sikur e kemi fituar vetë. Por sapo e kemi patur lirinë e kemi humbur menjëherë. Kjo sepse, shqiptarit, pa dëshirën e tij, të interesuar të tjerë ja kanë futur në mendje se: të kesh liri do të thotë të bësh ç’të duash me të. Rasti më evident është fillimi i viteve 1990, kur parrulla “Rroftë Liria” u vazhdua me thënien “Tani jemi të lirë dhe mund të bëjmë ç’të duam”. Dhe në fakt edhe sot, pas 28 vitesh me këtë thënie justifikohen mashtrimi, vjedhja, korrupsioni, mitëmarrja, trafiku ilegal i substancave të rrezikshme dhe narkotike, blerja e vendeve të punës, imoraliteti, blerja e votës, dhunimi i të drejtës së tjetrit, falsifikimi i dokumentave, dhënia e lejeve dhe licensave pa kriter, keqmanaxhimi i pushtetit, arroganca e qeverisjeve dhe mendjemadhësia e opozitave, etj.
Në fakt pasja e lirisë, që është edhe shtylla e parë e konceptit të lirisë, ka të bëjë me ekzistencën dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, që përmenda më lart, për të cilat Shqipëria nuk është se ze ndonjë vend të respektuar midis vendeve të tjera të botës, përkundrazi, parametrat e lirisë sa vijnë dhe përkeqësohen, përfshirë këtu lirinë e medias, lirinë e fjalës, lirinë e veprimit, lirinë ekonomike, zgjedhjet e lira, punësimin, etj.
Të jetosh në liri, që është edhe shtylla e dytë e konceptit të lirisë, nuk do të thotë të bësh ç’të duash. Të jetosh në liri do të thotë të bësh atë që duhet të bësh dhe, të bësh atë që duhet të bësh do të thotë të bësh atë që di të bësh më mirë në jetë, sepse në të kundërt edhe ato liri themelore që janë të shkruara ka shumë mundësi që të mos respektohen dhe të humbasin. Në fakt në Shqipëri gjendja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut është shumë e rëndë.
Si rezultat kaosi e anarkia kanë pushtuar tërë skutat e jetës politike, ekonomike, sociale, sportive e kulturore në vend. Kjo sepse shumica e individëve të shoqërisë shqiptare nuk bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Të korruptuarit janë në pushtet, ndërsa njerëzit e ndershëm e të drejtë janë të papunë. Mafiozët drejtojnë bizneset, ndërsa individët që kanë shpirt sipërmarrës largohen nga vendi nga dita në ditë. Të pa aftët e injorantët drejtojnë institucionet kërkimore, akademike e shkencore dhe shkollat e larta, ndërsa njerëzit inteligjientë, të drejtë e të pakorruptueshëm etiketohen si budallenj e idiotë.
Si rezultat, gjendja politike, ekonomike dhe sociale nuk premton që indidivi të jetojë në liri dhe ë këtej rrjedh se individi nuk ka asnjë mundësi të shijojë lirinë. Të shijosh lirinë, që është edhe shtylla e tretë e konceptit të lirisë, do të thotë të shijosh frutet e punës individuale dhe duke shijuar frutet e punës individuale ka më shumë shanse që edhe familja dhe shoqëria të jenë të shëndosha e në harmoni me interesat kombëtare.
Në fakt, në Shqipëri është shumë vështirë që të shijohen frutet e punës, qoftë në aspektin individual, qoftë në aspektin e produktivitetit të shoqërisë dhe kjo sepse papunësia është në shifra shumë të larta. Papunësia midis të rinjve është ndër më të lartat në Evropë. Në Shqipëri rreth 30% e banorëve jetojnë me më pak se 100 lekë / frymë / ditë, 35% e banorëve jetojnë me rreth 300 – 500 lekë / frymë / ditë, rreth 20% e banorëve jetojnë me rreth 700 – 1000 lekë / frymë / ditë dhe vetëm 5% e popullsisë kontrollon më shumë se 95% të burimeve financiare. Papunësia e lartë është vetëm një aspekt i gjendjes së ekonomisë në përgjithësi, që është në ditët e saj më të zeza.
Si rezultat i kësaj gjendjeje ekonomike dhe niveleve shumë të larta të papunësisë, në Shqipëri ka ende shumë individë që as që e kanë patur mundësinë të vizitojnë një herë të vetme në jetë kryeqytetin, ose vijnë në Tiranë vetëm për një hall shumë të madh. Të rinjtë shqiptarë as që e kanë idenë e zonave të tjera të vendit, përveç zonës ku banojnë. Jugorët nuk e dinë se ku bie Tropoja e Kukësi. Veriorët nuk e dinë se ku bie Përmeti, Saranda e Gjirokastra. Durrsakët nuk e dinë ku bie Librazhdi e banorët e Përrenjasit nuk e dinë ku bie Kuçova. Më keq paraqitet gjendja për njohjen e trojeve tona në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Çamëri dhe e tërë kjo sepse ka një varfëri shumë të tejskajshme, që nuk jep asnjë mundësi praktike që qytetarët e Shqipërisë të shijojnë lirinë. Dhe kjo sepse ata nuk jetojnë në liri dhe kjo sepse ata nuk e kanë lirinë që u takon.
Pasja e lirisë, të jetuarit në liri dhe të shijuarit e lirisë janë tre shtylla që përbëjnë konceptin e lirisë së individit, shoqërisë dhe kombit. Nëse një nga këto shtylla mungon apo cënohet, është cënuar dhe është vënë në rrezik liria dhe kur liria është në rrezik, atëhere humbja e saj është fare pranë. Historia e Shqipërisë dhe shqiptareve që nga kohët më të lashta e deri në ditët tona e tregon më së miri këtë. Të jesh i lirë do të thotë te kesh liri, të jetosh në liri dhe të shijosh lirinë dhe jo thjesht të bërtasësh “Rroftë Liria”.