7 ditë më parë banesa ku banonin prindërit e gazetares Klodiana Lala u qëllua me breshëri plumbash, ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
E ftuar në emisionin “Opinion”, Lala tregoi se si e mësoi sulmin me armë në banesën e prindërve ku ndodheshin dy vajzat e mitura dhe familjarët e saj.
Gazetarja e kronikës në News24, tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, ku u lëshuan breshëri plumbash në banesën e prindërve.
Ajo tha se banesa është qëlluar me 15 plumba, ku predhat janë gjetur në mjediset e banesës. Lala tregoi se dy plumba kanë depërtuar në dhomën ku po qëndronin dy vajzat e saj.
Në lidhje me arsyet e sulmit, gazetarja tregoi se për të shkatërruar një gazetar, hapi i parë është që të trembin gazetarët përmes sulmit ndaj familjarëve.
“Nuk dua të nxitohem për të dhënë një konkluzion. Familjarët e mi nuk kanë konflikte. As vëllai nuk ka probleme. Ka qenë vetëm një edukator në burgun e Fushë Krujës. Mënyra për të shkatërruar një gazetar është t’i tmerrojnë familjarët” – tha Lala./lapsi.al