Çfarë nxjerr në pah e gjithë kjo histori për të cilën po zjen e gjithë shoqëria shqiptare?
Si fillim, deputetin nuk duhet ta njohim ne por “kriminelët dhe bandat e zonës”. Kur ai vjen në Kuvend si përfaqësues i bandës më të fortë në qytet, ai ka fuqi të pamatë mbi policinë, prokurorinë, partinë e madje edhe mbi grupin e tij parlamentar. Sepse po ra ai, bie banda e po ra banda ose duhet gjetur një tjetër ose duhen llogaritur pasojat me gjithë dinamikat e tyre strukturore e deri tek humbja elektorale. Pra përdhunimi elektoral është në bazë, themel të gjithësa vjen më pas.
Më tej vijon me deformimin partiak. Partia nuk është më strukturë që kërkon dhe mbështet më të mirët e zonës. Partia vegjeton me militantë që me peshore sociale dhe alkimi banale prodhojnë produkt elektoral duke sinergjitizuar zarizmin politik lokal me bandat. Kësisoj partia bën vetëm ndërmjetësen mes bandës dhe Pushtetit Politik në Tiranë. Nuk ka më sistem karriere, idealizëm, konkurencë vlerash, ideshë dhe burimesh njerëzore. Ka vetëm zarizëm, sekserizëm dhe ndërlidhje. Kështu përdhunimi i partisë e prej partisë vijnë paralel me skemën e përdhunimit elektoral.
Kështu u vjen rradha institucioneve qendrore e lokale.
Deputeti i Bandës dhe Partia e Zarave me leje nga Pushteti Politik i Tiranës krijojnë Çifligun e tyre Institucional.
Çdo Drejtor, Shef, Përgjegjës, Kryepolic, Prokuror, e kështu me rradhë, vendoset nga ose në marrëveshje me Deputetin e Bandës dhe Partinë e Zarave. Dhe përdhunimi institucional është i pashmangshëm.
E duke qenë se kjo skemë përdhunimi elektoral, partiak dhe institucional e ka bekimin e vetë Kryeministrit dhe Qeverisë në Tiranë, nuk do mend të kuptohet pse ndodh edhe përdhunimi mediatik.
Më thoni ju lutem, a ha dot logjikë e mirëkuptim thirrja e ndërgjegjes, klithma e shpirtit për të mbrojtur një vajzë të dhunuar e përdhunuar nga djali i një deputeti, në një shoqëri nën përdhunim sistematik dhe skematik?
A ka njeri që ta mirëkuptojë thirrjen se ky deputeti duhet të dorëzojë urgjentisht mandatin e ndyrë të cilin e ka përdorur vetëm për bandën dhe të birin?
Këtu përdhunuesi është fitues, trendy, i pasur dhe duhet të na mundë e poshtërojë të gjithëve.
Përndryshe po u luhat përdhunuesi i kapur, nis e lëkundet skema e 4 përdhunimeve sistematike dhe skematike…
Kjo është e vërteta.
Nuk e kemi të lehtë këtë betejë, sepse Sistemi do me çdo kusht që përdhunuesi i kapur të na mundë neve të gjithëve…
Po e duruam….
Nuk na e ka më fajin përdhunuesi…