Home KRYESORE Letër për Xhisiela Malokun…Nga Elona Caslli

Letër për Xhisiela Malokun…Nga Elona Caslli

Kështu do të ketë filluar medoemos Xhisielë.. Kështu fillon gjithnjë. Një vajzë e vogël që shndërrohet në zonjushë  dhe dëshiron t’i paraqesë botës femërinë e saj.

Ndien trupin e saj, ndien mendimin e saj, ndien dëshirën e saj për të krijuar një marrëdhënie me botën që  e rrethon. Duke qenë se shpesh herë marrëdhëniet  tona diktohen nga pozita gjeografike, në të cilën  jetojmë të përditshmen tonë,   edhe ti je  përpjekur të gjesh  të ngjashmin tënd , në vendin tënd.

Në paradhomën e dashurisë do të kesh menduar se diçka nuk shkon , se gjestet , fjalët, puthjet apo prekjet nuk janë ato që ke  ëndërruar netëve . Nuk janë të njëjtat fjalë që shkëmbejnë dy të dashuruar në një film, në një libër apo në një këngë.

Dita ka gëlltitur ditën dhe ëndrrat janë tretur bashkë me natën  dhe koha ka kaluar pa u vënë re. Në fillim ke dëgjuar një zë që ngrihet kundër teje dhe ke menduar se  ishte thjesht një çast, se djemtë kështu e kanë, se nuk do të përsëritet më.

Më pas, në një ditë të mbrapshtë ke ndjerë duart që të godasin fort dhe lënë shenja mbi trupin tënd, si për të kujtuar se ku jeton dhe nga vjen.

E duke i këqyrur ato shenja, je tjetërsuar. Femërinë nuk e ke parë më si gjymtim nënshtrimi , por si forcë denoncimi.

E tjetërsuar  tashmë , je gjendur përballë Dhunuesit , jo më si objekt , por si një njeri që kërkon me ngulm të drejtën për të marrë frymë në liri.

Dhunuesi e ka patur të vështirë  të përballet me tjetërsimin tënd. Tjetërsimi yt është gjykimi dhe dënimi i tij.

Dhunuesit nuk duan kurrë të gjykohen apo të dënohen.  Ata kanë vetëm një dëshirë: Të gjykojnë dhe të dënojnë.

E për t’i përligjur deri në fund  dëshirat perverse të derdhura mbi trupin tënd, Dhunuesi strehohet tek Pashaporta Shtetërore , të cilën i ati, ia ka lënë në përdorim prej kohësh.

Ajo pashaportë zhbën gjithçka.  Askush nuk mund ta kundërshtojë, askush nuk mund ta gjykojë dhe askush nuk mund ta dënojë.

Historia përmbyset dhe ti përdhunohesh për të dytën herë, jo nga Dhunuesi yt , por nga Shteti yt , i cili në eskpertizën mjeko-ligjore pohon zyrtarisht se :

“Dërrmishtja në shpatullën e djathtë dhe ekimozat në pulpën dhe kërcirin e majtë, janë shkaktuar me mjet mbretës. Dërrmishjet e vërejtura në kofshën e djathtë, janë shkaktuar nga veprimi i faktorëve termikë, siç mund të jetë edhe cigarja. Dëmtimet e mësipërme hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë së përkohshme për punë në masën deri në 9 ditë”. 

Kjo dramë nuk të përket më ty. U përket Përdhunuesve të cilët në një paragraf me shkronja të zeza, mbi një format të akullt A4, do të përligjin dy përdhunime njëherazi; atë Njerëzor dhe atë Shtetëror.

Përdhunimi yt nuk është i yti Xhisielë. Cigaret nuk u shuan vetëm mbi trupin tënd. U shuan mbi trupin e Kombit Shqiptar , i cili është kthyer në një hirtore të madhe , ku kushdo i veshur me pushtet shuan cigaren apo dëshirën perverse të radhës.

Post scriptum- Jam pranë teje këto çaste. Pranomë si motrën tënde, si miken tënde , si gjithçka që një njeri mund të jetë për një njeri tjetër.

Share: