Home KRYESORE Mili, poeti qe u celebrua me prangat… (Tregimi i së dielës)

Mili, poeti qe u celebrua me prangat… (Tregimi i së dielës)

Nga Agim Xhafka

Mbase Mili është i burgosuri i vetëm në botë që u dënua 25 vjet dhe nuk e mësoi shkakun. Askush nuk i tregoi Milit një fakt,një provë. Vetëm i lexuan togfjalëshin agjent i rusëve dhe me nxitim e çuan në disa burgje. Deri sa në vitin 1991 doli nga ai i Burrelit. U lirua se kështu deshi historia e vendit,ndryshe do ishte varrosur në oborr të kampit,mbase në rrënjët e ndonjë kumbulle ku bënin ajrimin.

Mili hyri në birucë kur mbushi 25 vjeç e dritën e diellit,pa roje mbi kokë,e pa kur kaloi të 50-tat. Ishte i fejuar,do martohej sa të bënte nja dy vjet punë,që të mblidhte ndonjë lekë,por e “celebruan” me prangat. Ishte natë vonë kur i trokitën tek dera. Pandehu se e kërkonin nga miniera,do kishte ndonjë defekt e Mili si inxhinier elektrik thirrej shpesh. Por jo. Ia behën tre burra të rinj,veshur njësoj,me dok bezhë dhe i thanë se në emër të populllit arrestohej.

Nuk arriti të nxirrte fjalë. E tërhoqën shpejt sikur ishte zog e mund t’u fluturonte. Pastaj e akuzuan spiun të rusëve. Mili e mohoi përherë,dokëbezhët thoshin se e dinin ata shumë saktë. Pa u dhënë dënimi i erdhi Klara,e fejuara dhe i kërkoi një deklaratë divorci. E firmosi në çast,e kuptoi që kerkesa e saj nuk ishte zgjidhja e saj. U ndanë e qysh atëhere nuk u panë më. Ajo u martua me Çome bojaxhiun,se quhej si njeri me cen në biografi. Pas lindjes së fëmijës së dytë Klara vdiq nga një hemoragji e rëndë.

Mili sa u lirua kërkoi punë dhe pati fat. Nga që kishte etje për shtëpi ai u pranua nga Nesti në firmën e tij të ndertimit. Dhe paguhej mirë. Jeta po e shihte qeshur. U njoh me Brunën,një vejushë te pallati i ri. Kishte një çun,por ishte emigrant në Gjermani. Pra Mili u bë me grua dhe me shtëpi. Bruna i sillte mjaft gëzim,ishte e qeshur dhe amvisë shumë e mirë. Por mërzitej kur Mili nuk i tregonte pse u dënua.

-Agjent të rusëve,-më thanë.-Kaq.

Ajo i thoshte se nuk dënohet njeriu kaq kollaj e për kaq shumë vite. Mili edhe nervozohej ,por sërish i qeshur i thoshte:

-Po kaq më thanë. Kaq.

Pas ca vjetësh Mili doli në pension. Iu njohën dhe vitet e burgut e mori një pagesë të mirë. Kishte mbledhur dhe ca kursime nga puna në firmë.

Duke u mplakur e duke u lidhur më shumë me Brunën. Dukej sikur kishin një jetë bashkë. Natyra ka ligje kompesimi. P.sh të ikën shikimi,por të rritet dëgjimi. Edhe Milit i iku Klara ,por gjeti dashuri e paqe me Brunën.
Kur kaloi 75 vite, i trokiti dera bash atë natë të ditëlindjes. Ishte postieri i DHL-së. I solli një pako nga…Moska,nga Rusia. U trondit se ato emra i krijonin një gjendje turbullire e shoku të paparë. Me duart që nisën t’i dridhen e hapi e brenda gjeti një liber,bashkë me një leter,shkruar me kompjuter,por firmuar nga Olga Nesjamila.

-Olga?- pyeti Bruna.

Mili nuk foli. I tha gruas të vishej se do shkonin tek Bozhi,malazezi që kishte dhënë mësimin e rusishtes në shkollën e qytetit,tani në pleqëri të thellë,por mbahej mirë.

Per fat e gjetën zgjuar,se moshat e mëdha flenë kohë e pa kohë. Mili ia dha letrën në fillim e ai nisi shqipërimin:

-I dashur miku im i shtrenjtë,Mili. Mbase nuk më kujton,por jam Olga,gruaja e Nestit,komshiut tënd. Sa të lexosh kaq do sjellësh ndër mend se si mblidheshim te shtëpia jonë e ti na recitoje poezitë e tua të mrekullueshme.

-Poezitë?- u çudit Bruna.
-Po,kam shkruar shumë dhe i kam botuar grupe grupe në gazeta ato vite,-tha Mili.
-Kur unë u largova nga Shqiperia,bashkë me fëmijët,mora me vete dhe mjaft poezi të prera nga gazetat që ti na dhuroje. Sa erdha në Moskë më mori shumë malli për Nestin,dashurinë time dhe u nxita të perkëthej poezitë e tua. I çova në një shtëpi botuese e ata nxorrën vëllimin tënd që po ta dërgoj kaq vonë se ta kam çuar dhe para shumë vitesh,por më është kthyer. Poezitë e tua ishin të vetmet që më lidhnin me atë vend. Të perqafoj,Olga.

Mili u nguros. Mori librin ndër duar dhe e lëshoi mbi një kolltuk pranë sikur e dogji,e pervëloi. U ul dhe vetë e nisi të lotojë. Më pas të flasë me vete:

-Po si mund të dënohet një njeri 25 vjet burg se i botohen poezitë në Moskë. Po si mund të shkelmohet jeta e njeriut kur është kaq e shtrenjtë. Vijmë një herë në jetë e duhet ta jetojmë çdo sekondë me dashuri e mirësi,ta pertypim si nektar e të gjallojmë mes pasioneve,dashurive,punës,miqësisë e rregullave. Kujt i vjen e keqja nga një liber? Ai nuk është kallashnikov,poezitë nuk janë plumba,poeti nuk është agjent.

Bruna mësoi të vertetën që pandehte se ia fshihte Mili. Nisi të lotojë edhe ajo. Po jetonin një shfajësim konkret,se atë ligjor kishin kohë që e kishin fituar. Po iu ndriçohej shikimi mbi një enigmë ndërtuar mbi shpifje e rrena. E dinin që kishin jetuar në errësirë,por tani mësuan sa e errët ishte ajo kohë. Si një hon që nuk pati mëshirë e dhimbje,që gëlltiti këdo pa ndjerë as pendesë as frikë. Mili mbante librin në gjoks,e shtrëngonte me duar fort nga paniku se mos ngjallej sërish kuçedra e ja rrëmbente jetën së dyti…

I hyri frika,por edhe ndjeu një lehtësim të madh. Ia vlen të dënohesh si poet,i thoshte vetes,ia vlen.

Share: