Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos ka kërcënuar Shqipërinë për negociatat me Bashkimin Europian, përmes çështjes çame.
Ditën e djeshme ai vizitoi Paramithian, qytet ku u vranë 49 burra në vitin 1943, sipas grekëve nga nazistët në bashkëpunim me çamët.
“Vendi ynë fqinj Shqipëria, ndaj së cilës kemi ndjenja miqësore, duhet të respektojë dhe të vlerësojë historinë. Ata duhet ta dinë se çamët ishin bashkëpunëtorë me nazistët.
Nëse dëshirojnë miqësinë tonë dhe fqinjësinë e mirë, mbështetjen tonë për rrugëtimin e tyre evropian që është e dosmosdoshme, duhet të pranojnë menjëherë të vërtetën e pamohueshme historike të së kaluarës kriminale të nazistëve dhe çamëve, dhe nuk duhet ta përmendin përsëri me ne. Sa herë që përmendet çashtja çame, kjo është një çështje nderi për ne. Këtë duhet ta kuptojnë. Nuk është çështje hakmarrje, është çështje drejtësie“, tha Presidenti i Greqisë.
Greqia nuk ka pranuar çështjen çame në tryezën e bisedimeve me Shqipërinë, për të cilën thotë se nuk ekziston. Çamët, grekët i konsiderojnë bashkëpunëtorë të nazistëve dhe që kanë kryer krime ndaj banorëve. /tvklan.al