Home Gjeo-Ekonomia Rusia shpërfill SHBA-në, dërgon sistemet S-300 në Siri. Reagon ashpër Amerika

Rusia shpërfill SHBA-në, dërgon sistemet S-300 në Siri. Reagon ashpër Amerika

Administrata Trump ka paralajmëruar Rusinë se furnizimi i Sirisë me sisteme të mbrojtjes raketore do të ishte një gabim i madh që duhej të rikonsiderohej. Administrata amerikane ka njoftuar gjithashtu se forcat e SHBA nuk do të largohen nga Siria deri kur të largohen forcat iraniane.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në administratën Trump, John Bolton, tha të hënën se dërgimi i sistemit rus S-300 në Siri do të ishte një përshkallëzim domethënës në tensionet tashmë të larta në rajon dhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, tha se do ta ngrejë çështjen për diskutim këtë javë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“Ne mendojmë se dërgimi i S-300 për qeverinë siriane do të ishte një përshkallëzim domethënës nga rusët dhe shpresojmë që, nëse raportimet e shtypit janë të sakta, ata ta rishikojnë vendimin”, tha Bolton. Rusia njoftoi të hënën se do të pajisë Sirinë me sisteme të sofistikuara të mbrojtjes ajrore, një masë që mund të përkeqësonte tensionet e saj me Izraelin, duke kufizuar aftësinë e tij për të bombarduar kufirin verior ku ndodhen trupa iraniane, aleatë të Presidentit sirian. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se Moska do të dërgonte sistemet e fuqishme të raketave tokë-ajrore S-300 të Rusisë në Siri, një aleat i vjetër dhe kjo do të ndodhte gjatë dy javëve të ardhshme.

Izraeli, i cili në mënyrë të përsëritur ka bombarduar objektivat iranianë në Siri, i ka kundërshtuar fort këto dërgesa dhe Rusia deri tani është frenuar në furnizimin e armëve. Por, pas incidentit të javës së kaluar, ku një avion zbulimi rus me 15 anëtarë të shërbimit në bord u shty nga avionë izraelitë drejt një shënjestre siriane, siç janë deklaruar zyrtarët rusë të Mbrojtjes, vendimi i Moskës ka ndryshuar. Izraeli, në të kundërt, tha se forcat e saj ajrore nuk kishin shkelur asnjë marrëveshje me Rusinë dhe se avionët izraelitë ishin kthyer në hapësirën ajrore izraelite sapo u lëshuan raketat.

Përplasja ishte një nga incidentet më vdekjeprurëse për anëtarët e rregullt të shërbimit rus në luftën siriane. “Sot, situata ka ndryshuar, jo për fajin tonë”, tha Shoigu në një deklaratë televizive të hënën, duke njoftuar dërgimin e sistemit S-300 në Siri. Shoigu tha se Rusia gjithashtu do të bllokojë komunikimet ushtarake të avionëve në hapësirën ajrore pranë Sirisë mbi Detin Mesdhe, duke përmirësuar sistemet e komandës së mbrojtjes ajrore të Sirisë.

PANORAMA

Share: