Home KRYESORE Situata kriminale/ Myslimanët të shqetësuar për heshtjen e komuniteteve fetare

Situata kriminale/ Myslimanët të shqetësuar për heshtjen e komuniteteve fetare

Një grup besimtarësh myslimanë janë shprehur të shqetësuar për dominimin e krimit mbi shoqërinë shqiptare dhe heshtjen e Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe komuniteteve të tjera fetare rreth kësaj klime pasigurie dhe ankthi.

Me anë të një deklarate të shpërndarë për mediat ata bëjnë me dije se indiferenca e komuniteteve fetare, klerikëve, bashkësive të besimtarëve të feve të ndryshme dhe shoqërisë civile ndaj shtimit të raportimeve për këtë kahje alarmuese të krimit në ҫdo rajon të vendit përbën një braktisje të përgjegjësisë morale më universale: dënimin e së Keqes dhe pengimin e saj, si dhe përkrahjen e të Mirës dhe nxitjen e saj.

Ata theksojnë se institucionet dhe udhëheqësit fetarë në vend, të cilët bashkë me komunitetet e besimtarëve duhet të përbëjnë shtyllën kurrizore morale të shoqërisë shqiptare, nuk kanë luajtur rolin që u ngarkojnë urdhëresat hyjnore në librat e shenjtë.

“Kurani ka paralajmëruar pasojat që do të bien mbi ata njerëz që nuk e veprojnë të keqen, por që në të njëjtën kohë nuk janë aktivë në pengimin e saj, duke menduar se e keqja nuk do t’i prekë ata”,- citohet nga deklarata.

Në deklaratë theksohet se veprat penale si vrasje me dashje, krime seksuale, kultivimi dhe trafikimi i drogës, trafikimi dhe shfrytëzimi i qenieve njerëzore të realizuara nga organizata kriminale brenda dhe jashtë vendit kanë shtuar frikën dhe cenuar rëndë funksionimin e institucioneve shtetërore dhe shoqërore në vend.

Deklaratën e kanë nënshkruar rreth 122 besimtarë./Opinion.al

Share: