Home Gjeo-Ekonomia “The Washington Times” për MEK: Njihuni me luftëtarë iranianë për liri

“The Washington Times” për MEK: Njihuni me luftëtarë iranianë për liri

Nga L. Todd Wood, “The Washington Times” 

Në një udhëtim biznesi kohët e fundit në Shqipëri, më ftuan të vizitoja kampin e ri të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit, ose Mojahedin-e Khalq (MEK), kamp i cili është ende në ndërtim e sipër rreth 45 minuta jashtë Tiranës, rrugës për në bregdetin shqiptar. E pranova ftesën, edhe pse duhet ta pranoj, nuk ia kisha idenë se çfarë mund të prisja me të mbërritur në atë kompleks të shtrirë që është tani shtëpia e re e afërsisht 3,200 anëtarëve të personelit të lëvizjes iraniane të rezistencës, pasi u detyruan të lënë Irakun për shkak të dhunës së ushtruar nga qeveria e mbështetur nga Irani.

Dëshiroj të shkruaj më shumë rreth këtij grupi dhe agjendës së tij në të ardhmen, por sot dua thjesht të eksploroj çfarë gjeta tek ‘Ashraf 3’, i cili është emri që MEK i ka vënë kampit të ri, pas Ashrafit të parë në kufirin iraken, nga ku grupi lëshonte sulme drejt Iranit përpara dy dekadash.

Me daljen e administratës Trump nga i ashtu-quajturi pakt me Iranin, MEK-ut i është dhënë shpresë e re në përpjekjen e tij për ndryshim regjimi në Republikën Islamike të Iranit. Nën trysninë e sanksioneve të reja, së bashku me pasojat e menaxhimit të paaftë të regjimit të korruptuar, trazira të shfrenuara civile kanë shpërthyer në mbarë vendin. MEK sheh një mundësi reale për ta realizuar ndryshimin e regjimit nga brenda Iranit, pa nevojën e forcës së kushtueshme ushtarake amerikane, e cila është edhe tepër e angazhuar.

Me rënien përfundimtare të mullahëve, MEK dëshiron të themelojë më në fund një demokraci. Vizita ime tek Ashraf 3 në Shqipëri ishte përkundrejt këtij sfondi.

Ky kamp ka qenë shumë i debatuar, kryesisht për shkak se regjimi e sheh MEK –un si një kërcënim ndaj ekzistencës së vet. Kjo i ka bërë mullahët të veprojnë në mënyrë të shkujdesur për t’iu kundërvënë asaj që ata e konsiderojnë si opozitën kryesore, edhe pse ndodhet larg në Shqipëri. Kjo gjë ka rezultuar në një tentativë të dështuar për të bombarduar Tubimin Free Iran 2018 në Paris qershorin që shkoi, ku u arrestua një diplomat iranian, si dhe në arrestimin e dy spiunëve iranianë në Uashington, D.C., të cilët kishin për qëllim të shënjestronin zyrtarët e rezistencës në Shtetet e Bashkuara.

Agjentët e inteligjencës iraniane kanë qenë aktivë në Shqipëri, duke rekrutuar ish-anëtarë të MEK për qëllime propagande dhe duke u përpjekur ta njollosin reputacionin e grupit në sytë e popullit të Shqipërisë.

Makina erdhi e më mori tek hoteli në Tiranë dhe bëmë rrugën 45-minutëshe për në kamp. Biseda ishte mjaft e këndshme dhe u ndalëm madje edhe për të shijuar ca fruta të vendit gjatë rrugës. Por siguria ishte shumë e rreptë. Vura re se kishte gjithmonë dy makina bashkë sa herë që linim kampin gjatë vizitës dy-ditore.

Një firmë vendase sigurie ruante vendbanimin, me roja perimetri dhe inspektime të makinës teksa hyje tek portat, ku hyrja ruhet nga dy maskotat e MEK në formë luanësh.

Kampi është shumë i madh, dhe në faza të ndryshme ndërtimi. Grupi ka bërë një punë të shkëlqyer në një kohë kaq të shkurtër, për të rikrijuar atë çfarë ka lënë në Irak. Aty ka gjithçka që mund të presësh për një qytet të vogël — banesa, shërbime ushqimi, salla mbledhjeje, ndërtesa administrative.

Në një kohë të shkurtër u prezantova me udhëheqjen e grupit në Shqipëri dhe u ulëm rreth një tryeze në një nga ndërtesat e reja për t’u njohur me njëri-tjetrin. Ajo që më bëri përshtypje në fillim ishte çiltërsia me të cilën u ndesha. Tentativat e shumta për të krijuar artikuj denigrues kishin kulmuar në një fluturim droni mbi vendbanimin, i bërë nga një grup kundërshtar gazetaresk nga Mbretëria e Bashkuar, me shumë mundësi i financuar nga dikush që nuk ia do suksesin MEK -ut.

Meqë anëtarët e kampit e dinin se kisha premtuar të isha mendje-hapur, u treguan jashtëzakonisht të sjellshëm. U bëra shumë pyetje gjatë vizitës sime dy-ditore. Të gjitha pyetjet morën përgjigje të hollësishme, madje ndonjëherë thirreshin edhe anëtarë të tjerë për të dhënë një përgjigje më të detajuar e të plotë. Në asnjë rast nuk më ndaluan të shihja apo të kërkoja diçka. Pyeta për jetën në kamp, për ata që e kishin braktisur lëvizjen, madje edhe për përfshirjen e supozuar të MEK në Krizën Iraniane të Pengjeve dekada më parë. Të gjitha pyetjet morën përgjigje të plota.

Në fakt, më ftuan të vizitoja pjesët e ndryshme të kampit. Objektet janë shumë funksionale, edhe pse disi të shkretuara. Meqë fëmijët e MEK janë çuar nga Iraku në Europë e Amerikë gjatë dekadës së fundit, shumica e anëtarëve të tjerë të rritur e kanë njëfarë moshe, ndonëse takova edhe një numër të madh anëtarësh të një brezi të ri të MEK, meshkuj e femra, disa prej të cilëve kanë qenë pjesë e grupit të fëmijëve të larguar nga Iraku në vitin 2009, të cilët iu bashkuan MEK –ut në një moshë më të madhe. Shumë prej tyre ndoqën gjurmët e të afërmve, për të mbajtur gjallë luftën e tyre kundër regjimit.

Gjatë vizitës m’u ekspozuan mjetet cilësore të gatimit që ishin vënë atje. Vizitova objektin mjekësor i cili ka një sasi të madhe pajisjesh e personeli, që përpiqen të japin maksimumin me burime të kufizuara. Pashë shumë pacientë që ishin në faza të ndryshme të trajtimit mjekësor, teksa shkoja nga dhoma në dhomë.

Share: