Home KRYESORE Tre vjet më parë gjëmonte kundër shteteve të euros. Alexis Tsipras, kryeministri...

Tre vjet më parë gjëmonte kundër shteteve të euros. Alexis Tsipras, kryeministri i transformuar lavdëron BE

Çfarë ndryshimi: Tre vjet më parë kryeministri grek gjëmonte kundër shteteve të euros. Tani ai shfaqet i përulur dhe mirënjohës para Parlamentit Europian në Strazburg.

Vetëm tre javë pasi Greqia la programim financiar evropian të shpëtimit, kryeministri ALexis Tsipras i partisë radikale të majtë “Syriza” tregon një bilanc pozitiv të periudhës së tij të qeverisjes. “Greqia nuk është më pjesë e problemit, por është pjesë e zgjidhjes,” tha kryeministri me krenari. “Pak vetë kanë besuar se ne do arrijmë t’ ia dalim. Por ne ia dolëm”. Greqia respekton kushtet e vëna nga donatorët e zonës së euros, Banka qendrore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Alexis Tsipras lëvdoi reformat e tjera dhe pastrimin e shtetit grek: “Ne e kapërcyem krizën, pa shkatërruar vendin.”

“Solidariteti mund të funksionojë

Tre vjet më parë, në korrik 2015, gjatë kulmit të krizës greke të borxheve puna ishte krejt ndryshe. Alexis Tsipras, kishte pesë muaj në post dhe ishte gati duke e çuar vendin në falimentim. Në fjalimin e parë mbajtur para Parlamentit Evropian më korrik 2015, Tsipras akuzoi zonën e euros se kishte dështuar dhe se donte të gjunjëzonte Greqinë me politikën e saj të kursimeve.

Ndërkohë këto gjëra nuk përmenden më. Kryeministri i shfaqur si populist i majtë, lëvdoi programin e tretë të shpëtimit si shembull se solidariteti evropian mund të funksionojë. “Ne nuk duam të bëjmë sërish të njëjtin gabim si në të kaluarën”, tha Tsipras. Borxhet e Greqisë janë 180 përqind e prodhimit të brendshëm bruto. Dekada me radhë vendi duhet të ruajë disiplinën buxhetore dhe të paguajë mbrapsht kreditë. Alexis Tsipras është si sigurt se kjo do funksionojë. “Zhvillimi është kthyer. Papunësia ka rënë me dhjetë përqind,” tha Tsipras. Kuota e papunësisë ndodhet megjithatë në gati 20 përqind, gjë që sipas mendimit të Komisarit të BE-së, Valdis Dombrovskis është “e papranueshme”.

Ndryshimi i kryeministrit

Deputeti konservator Esteban Gonzalez Pons, që përfaqëson fraksionin më të madh në Parlamentin Evropian, bën shaka me ndryshimin e kryeministrit grek. “Ju keni ndryshuar shumë”, tha Gonzalez Pons. Në vitin 2015 Greqia ndodhej para rrënimit, por BE e ndihmoi. “Grekët janë për t’u admiruar që duan të qëndrojnë në BE.” Ministrat e qeverisë së tij rrezikuan të shkonin në dështim me politikën e tyre, tha politikani konservator.

Me këtë ai kishte parasysh kryesisht ministrin e Financave të asaj kohe, Jannis Varoufakis, i cili provokonte donatorët në verë të 2015, duke i çuar deri në dëshpërim. Alexis Tsipras pranoi se në tetë vitet e fundit të krizës së borxheve qeveria greke si dhe BE kanë bërë gabime. Qeveria e tij ka zbatuar recetën e duhur. “Po, unë kam ndryshuar,” iu përgjigj Tsiprasi deputetit Gonzalez Pons, por ky nuk është gabim.

Tsipras paralajmëron para rreziqeve të ekstremizmit të djathtë

Kryeministri grek ishte ftuar në Parlamentin Evropian për të folur për vizionet e tij për të ardhmen e BE-së. Por propozimet e tij mbetën idera të përgjithshme. Alexis Tsipras kritikoi politikën ekonomike neoliberale, e cila sipas mendimit të tij ka ndikuar në shtimin e partive ekstremiste të djathta. “E djathta ekstreme zgjon frikën që shkatërron idenë evropiane,” tha Tsipras. Prandaj, tha kryministri grek, Evropa duhet të largohet nga  austeriteti dhe të ndjekë një plan strategjik për përafrime ekonomike të shteteve të BE.

Sistemi i azilit në Evropë duhet reformuar. Evropa duhet të mbrojë qytetarët e vet, të forcojë institucionet e saj dhe të krijojë procese demokratike në marrjen e vendimeve.Tsipras, foli edhe vazhdimin e bisedimeve të pranimit me Turqinë. Greqia përkrah futjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e sheh veten si forcë garancie për një zhvillim paqësor në rajon. Grindjet për çështjen e emrit me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë mund të përfundojnë tani pas gjashtë vjet bisedimesh, tha Tsipras.

Shefja e fraksionit të majtë, ku merr pjesë edhe partia Syriza e Tsipras, është shumë më kritike me shpëtimin e Greqisë se sa vetë kryeministri grek. Gabi Zimmer kritikoi se politika e kursimeve ka shkaktuar “katastrofë humanitare” dhe varfëri në Greqi. Borxhet janë ende për t’u paguar. “Çfarë ka ndodhur me idenë e konferencës për borxhet, jo vetëm për Greqinë por edhe për shtetet e tjera?”, tha Gabi Zimmer nga partia gjermane E majta. Faljen e borxheve, për të cilën po flet Zimmer, nuk e ka kërkuar ndonjëherë as Tsipras. Gabi Zimmer akuzoi shtetet e BE-së se duan ta mbajnë Greqinë të dobët, për të treguar se një qeveri e majtë nuk mund të funksionojë. Tsipras tregoi të kundërtën.

Tsipras në koalicion me populistët e djathtë

Kryeministri grek është në koalicion në Athinë me populistët e djathtë të partisë “ANEL”, të cilët flasin kundër politikës së shpëtimit dhe nxisin ressentiments anti-gjermane. E djathta që Tsipras kritikoi në fjalimin e tij, është e ulur në tavolinën e kabinetit të tij në Athinë.

Fjalimi i kryeministrit grek ishte pjesë e një serie fjalimesh, që Parlamenti Evropian ka organizuar para zgjedhjeve evropiane më 2019. Deri tani kanë folur kryetarët e qeverive të Francës, Luksemburgut dhe Irlandës. Në vjeshtë për të ardhmen e Evropës do të flasë kancelarja gjermane Angela Merkel. Ditën e martë debati u ndoq pak. Interesi i 750 deputetëve ishte i pakët./DW

Share: