Vendimi i argumentuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit konstaton mospërputhje mes deklaratave, një kontratë fiktive apo të ardhura nga qiratë për të cilat nuk ishte paguar tatim, por thekson se kryetari i Gjykatës së Lartë kishte shfrytëzuar boshllëqet ligjore pa shkelur ligjin, duke e konfirmuar në detyrë.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori u konfirmua në detyrë më 24 korrik 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit-vendim i cili u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Trupa gjykuese e drejtuar nga Olsi Komiçi dhe me anëtarë Roland Ilian dhe Pamela Qirkon zbardhi të premten vendimin, ku ndonëse konstatohen mospërputhje mes deklarimeve, një kontratë fiktive, mungesa të kontratave noteriale dhe mospagim të detyrimeve tatimore-shkelje të tilla nuk konsiderohen shkarkuese.
Ndryshe nga raste të ngjashme, ku mospërputhjet e deklarimeve ndër vite apo kontratat fiktive janë shoqëruar me shkarkim të magjistratëve, në këtë rast trupa gjykuese e KPK-së ka arsyetuar në favor të Zaganjorit.
Komisioni e lehtësoi kreun e Gjykatës së Lartë nga një akt “në pamje të parë fiktiv” shit-blerje e bërë në vitin 2001, duke arsyetuar se ai kishte shfrytëzuar boshllëqet ligjore. “Kjo shmangie është kryer duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore në legjislacion, duke sjellë për pasojë evazion tatimor të ligjshëm,” thuhet në vendimin e zbardhur të KPK-së i cili konfirmoi Zaganjorin në detyrë.
Xhezair Zaganjori ka një karrierë 40-vjeçare fillimisht si pedagog dhe diplomat e më pas si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe kryetar i Gjykatës së Lartë në Shqipëri. Procesi i rivlerësimit për të u fokusua kryesisht në kriterin e pasurisë, ndërsa vendimi i zbardhur tregon se në dy kriteret e tjera KPK nuk u gjetën probleme.
Pasaktësi e kontrata fiktive
Si kryetar i Gjykatës së Lartë, Zaganjori u bë pjesë e subjekteve prioritare të sistemit të rivlerësimit. Pasuria e tij u mor fillimisht në shqyrtim nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) i cili i raportoi komisionit se nuk kishte gjetur probleme.
Por hetimi i pavarur i KPK-së identifikoi pasaktësi në deklarimet vjetore të Zaganjorit për ILDKPKI-në, krahasimisht me ato të bëra për llogari të vetingut. Vendimi i zbardhur thotë se deklarimet vjetore nuk përputheshin me deklarimin ”veting”.
Një apartament me sipërfaqe 293 metra katrorë i deklaruar për llogari të procesit të vetingut me vlerë 5.8 milionë lekë, ishte deklaruar në vitin 2003 me vlerë 7.4 milionë lekë, ndërsa një kontratë shit-blerje për këtë apartament e vitit 2001 kishte vlerën 500 mijë lekë. Më pas Zaganjori deklaroi se shpenzimet për këtë njësi kishin shkuar në vlerën 9.1 milionë lekë.
Në këtë rast, KPK argumenton se bëhej fjalë për një kontratë “në pamje të parë fiktive”. Hetimi administrativ zbuloi se pasuria në fjalë kishte qenë e banueshme që në vitin 1997, por kontrata e shitblerejes dhe rregjistrimi në hipotekë u kryen në vitin 2001 me një kontratë me vlerë minimale 500 mijë lekë.
Nga hetimi i KPK-së rezultoi se pasuria nuk ishte blerë, por ishte krijuar përmes bashkimit të katër familjeve me lidhje farefisnore që kishin ndërtuar godinën pesëkatëshe në një pronë të trashëguar. Akti i shitjes, sipas këtij hetimi kishte qenë formal, për të mundësuar kalimin në pronësi.
Bashkë me apartamentin, në të njëjtën formë janë regjistruar edhe një bodrum dhe një zyrë, në të cilat Zaganjori dhe familja e tij zotërojnë ¼-ën, duke i ndarë sipërfaqet me tre familjet e tjera. Po ashtu, në të njëjtën formë rezulton e vënë edhe një hapësirë tregtare rreth 250 metra katrorë e dhënë me qira, ku familja Zaganjori zotëron çerekun.
Qiraja e marrë nga kjo e fundit rezulton më pas të jetë pjesë thelbësore për të justifikuar shpenzimet dhe po ashtu transaksionet e tjera me prona të paluajtshme të kryera nga Zaganjori. Madje sipas vendimit të KPK-së, qiraja nga dyqani ka shërbyer për të mbuluar edhe një pjesë të shpenzimeve të bëra për ndërtimin e vetë godinës.
Në hetimin administrativ për të gjithë këtë pasuri, KPK-së i rezultojnë disa probleme. Fillimisht Komisioni merret me pasaktësitë dhe deklarimet e ndryshme të vlerës apo shpenzimeve të kryera aty, por në arsyetimin ligjor i justifikon ato.
Përndryshe nga raste të ngjashme kur deklarimi i pasaktë për ILDKPKI ka qenë në një masë penalizuese për subjektet e rivlerësimit, në këtë rast KPK arsyeton se kjo nuk ishte shkelje shkarkuese dhe se gjykatësi kishte dhënë sqarime që përputheshin me rezultatin e hetimit të kryer nga vetë Komisioni. “Këto deklarime mund të shërbejnë si provë për Komisionin në proces, por nuk mund të jenë shkak për shkarkimin e subjektit. Konkluzioni përfundimtar i Komisionit do të duhet të nxirret nga motivi dhe sjelljet e subjektit, nga mënyra e plotësimit të Deklaratës-Vetting dhe nga të dhënat e hedhura në të,” thuhet në konkluzionin përfundimtar.
Sipas KPK-së, pasaktësitë në deklarimet e mëparshme të Zaganjorit ishin ndrequr me deklarimin e saktë për llogari të vetingut. Për këtë arsye, trupi gjykues nuk i cilësoi mospërputhjet në deklarime si arsye për shkarkim. Në një moment, KPK arsyeton: “Arrihet në konkluzionin se subjekti nuk ka qenë i saktë në deklarimet ndër vite, por nuk mund të arsyetohet në favor të masës disiplinore të shkarkimit nga detyra, duke qenë se nuk ka asnjë dyshim për fshehje të pasurisë”.
Ngjashëm, KPK shpjegoi edhe kontratën fiktive të bërë në vitin 2001 për “shit-blerjen e kësaj pasurie”. Treshja gjykuese ka arsyetuar se kontrata formale e bërë në vitin 2001, megjithëse është fiktive dhe nuk pasqyron vlerën e vërtetë dhe pavarësisht se është bërë me qëllim e tillë për të shmangur detyrimet tatimore [duke përfituar nga boshllëqet ligjore] për një kontratë në vlerën reale, nuk kishte efekt shkarkues.
“Në pamje të parë të krijohet përshtypja se kontratat e shitjes së vitit 2001 janë fiktive, në bazë të nenit 92/ç të Kodit Civil, pasi janë kryer nga palët vetëm me qëllimin që të realizohej formalisht regjistrimi i pasurive të paluajtshme në regjistrin publik”, thuhet në vendimin e zbardhur.
Por po aty ky veprim justifikohet duke thënë se nuk ishte bërë “me qëllim mashtrimin” dhe meqë nuk ishte as vepër penale, as kundërvajtje administrative, nuk duhej ndëshkuar. KPK thekson se në këtë rast, Zaganjori nuk ishte gjykatës dhe se po ashtu veprimet ishin kryer “jashtë periudhës së rivlerësimit”. KPK megjithatë pranon se veprimet “në dukje fiktive” ishin kryer për të përfituar, por thotë se kjo ishte bërë duke shfrytëzuar boshllëkun ligjor dhe jo duke shkelur ligjin.
“Në këto kushte, Komisioni çmon se fiktiviteti në dukje i kontratave të lidhura me familjarët e bashkëshortes, nuk ka pasur qëllim mashtrimin apo fshehjen e fakteve, ngjarjeve apo pasurisë. Subjekti ka shfrytëzuar hapësirat ligjore në favor të interesave të tij,” thuhet në vendimin e zbardhur, i cili e cilëson këtë si “evazion tatimor të ligjshëm”.
Të ardhurat nga qiraja
Një seri kontratash qiraje jo noteriale për hapësirën dyqan dhe atë bodrum në ndërtesën pesëkatëshe të përmendur më sipër u gjetën pas hetimit të KPK-së. Kontratat e qirasë rezultuan të rëndësishme, pasi Zaganjori, sipas vendimit të zbardhur i përdori ato për të justifikuar pasuri të vëna pas tyre, përfshi blerjen e një apartamenti në Durrës dhe një përpjekje për të blerë një apartament në Shkodër, që në fund nuk u realizua.
Po ashtu, të ardhurat nga qiraja përdoren edhe për pagesa shkollimi jashtë vendit dhe shpenzime të tjera apo kursimet e familljes.
KPK sidoqoftë gjeti një mori problemesh në këto kontrata. Fillimisht sipas Komisionit, fakti që ato nuk ishin noteriale i bënte të dyshimta. “Gjë që lë vend për dyshime dhe sidomos kur deklaratat e bëra nga subjekti i rivlerësimit nuk përputhen me dokumentacionin përkatës shkresor që ndodhet në dosje”, thuhet në pjesën ku përshkruhet hetimi.
Aty KPK thotë se gjeti raste të mbivendosjes, ku për të njëjtin objekt për të njëjtën periudhë ka disa kontrata qiraje jo noteriale. Njëra prej kontratave rezulton e nënshkruar për 100 mijë lekë në muaj për tre vjet nga marsi 2010 me një shoqëri tregtare. KPK thotë se nuk ka fatura të plota dhe se një pjesë e faturave janë në emër të një shoqërie tjetër. Në të njëjtën periudhë për të njëjtën pasuri janë bërë edhe dy kontrata të tjera me të një shoqëri me emër të anonimizuar. Një kontratë që fillon po në mars 2010 me afat deri në mars 2013 dhe një tjetër nga viti 2012 deri në dhjetor 2013.
Sipas KPK-së nuk përcaktohet qartë sa merrte Zaganjori si pjesë në këto qira, ku ishin edhe të tjerët bashkëpronarë, por ashtu për një pjesë të tyre nuk ka të dhëna të pagesave të detyrimeve tatimore. Gjithashtu në këto kontrata të ndryshme qiradhënie nuk ka emër të pasurisë, por vetëm sipërfaqe të saj, e cila edhe kjo del e ndryshme në kontrata të ndryshme.
Megjithatë, Komisioni arsyetoi se nuk mund t’i konsideronte të paligjshme këto të ardhura vetëm me faktin se për to nuk rezultonte të ishte paguar detyrim tatimore. “Në këtë mënyrë, mospagimi i detyrimeve fiskale, pa vërtetuar paligjshmërinë e pasurisë, nuk mundet të shërbejë si shkak për dhënien e masave disiplinore në bazë të kësaj dispozite kushtetuese dhe dispozitave ligjore të dala në zbatim të saj”, thuhet në vendim.
Në vendim arsyetohet se megjithëse përcaktimi ligjor, me të cilin janë dhënë vendime shkarkimi për një sërë magjistratësh në proces, konsideron të ligjshme vetëm të ardhurat për të cilat ishin paguar tatimet, në këtë rast KPK dilte me përfundim se mosagimi i tatimeve nuk e bënte një pasuri të paligjshme.
“Duke sjellë në vëmendje konkluzionin se të gjitha burimet e pasurisë së tij rrjedhin ose nga puna e ligjshme, ose nga marrëdhëniet kontraktore të ligjshme, atëherë konkludohet se subjekti i rivlerësimit arriti të provojë ligjshmërinë e të ardhurave dhe të pasurisë së deklaruar“, thuhet në vendim.
KPK arsyeton se fakti që pagesat e përfituara nga qiratë ishin derdhur në bankë dhe po ashtu ishin deklaruar në ILDKPKI dhe se për këtë nuk i shikonte ato si të paligjshme. Ajo po ashtu thekson se në një pjesë të kontratave jonoteriale detyrimet fiskale i ishin kaluar palës që merrte ambjentin me qira.
“Mospagimi i detyrimeve fiskale mundet të konsiderohet apo të kualifikohet si shkelje e etikës së magjistratit apo si shkelje administrative sipas parashikimeve respektive ligjore, por jo si shkak për të aplikuar masa disiplinore sipas nenit D të Kushtetutës,” thuhet në vendim.
Blerësi “fantazëm” i apartamentit
Një apartament i shitur dhe një tjetër i blerë rezultojnë po ashtu me probleme në pasurinë e kreut të Gjykatës së Lartë. KPK thotë se gjeti që apartamenti i vlerë para viteve ’90 dhe i shitur në vitin 1999 rezultonte ende në emër të Zaganjorit.
“Sipas ZVRPP-së Tiranë rezulton se është ende në pronësi të subjektit,” thuhet në vendim.
Vendimi megjithatë nuk ndalon gjatë në këtë rast. Aty nuk përmendet nëse kishte apo jo një kontratë shit-blerje dhe nëse Komisioni kishte administruar ndonjë të tillë. Ndryshe nga rastet e tjera kur Komisioni i referohet hetimeve të saj, për këtë pasuri i është referuar ILDKPKI-së. Sipas vendimit kjo e fundit ka bërë me dije se blerësi “nuk ka kryer procedurën e regjistrimit të apartamentit në emër të tij” , ndërsa po ashtu citohet se “(ILDKPKI) nuk është shprehur nëse përputhet deklarimi i subjektit me dokumentacionin e dorëzuar dhe përgjigjet e institucioneve”.
Në vendim nuk rezulton që KPK të ketë bërë verifikime të tjera. Paratë e shitjes së apartamentit, 3.9 milionë lekë, janë përdorur për ndërtimin e godinës pesëkatëshe sipas KPK-së. Mbetet e paqartë se si apartamenti është ende i regjistruar në emër të Zaganjorit. KPK thotë se një vendim i Gjykatës së Lartë ia ngarkonte përgjegjësinë blerësit, por ndërkohë në vendimin e zbardhur nuk ka të dhëna të tjera rreth kësaj pasurie.
Rasti i dytë është nisma për të blerë një apartament në Shkodër. Sipas KPK-së Zaganjori, investoi atje 35 mijë dollarë dhe 1.2 milionë lekë. KPK doli në përfundimin që apartamenti nuk u ble pasi pallati nuk u ndërtua. Mungesa e kontratave noteriale në këtë rast është justifikuar me lidhjen shoqërore që gjyqtari kishte me ndërtuesit, shokë gjimnazi.
Ndërkohë fakti që në një faturë pagesa është cilësuar si investim dhe jo si pagesë për blerje apartamenti, u shpjegua me faktin se kompania ndërtuese kishte aplikuar model të ngjashëm edhe me të tjerë klientë. Në këtë rast po ashtu KPK gjeti se pasuria justifikohej me të ardhurat nga qiraja dhe nga paga.
Një apartament i blerë në plazh Durrës i rezultoi KPK-së pa probleme. Megjithatë në arsyetim mbetet i pasqaruar një veprim bankar. Aty thuhet se subjekti kishte paguar 16 mijë dollarë që i kishte tërhequr nga një llogari bankare.
“Subjekti i është përgjigjur kërkesës se pjesa më e madhe e shumës prej rreth 16.000 USD është tërhequr nga depozita e përbashkët me bashkëshorten”, thuhet në vendim. Por nga ana tjetër theksohet se banka e nivelit të dytë ku ndodhej llogari mohoi kryerjen e veprimit në atë periudhë dhe për atë shumë. Ajo i shkroi KPK-së se “nuk rezulton të ketë kryer veprime për tërheqjen e kësaj vlere dhe kryerjen e pagesës ndaj shoqërisë shitëse të pasurisë së paluajtshme”. KPK thotë në arsyetim se gjyqtari kishte të ardhura për të bërë blerjen rreth 34 mijë dollarë që ishin në llogaritë e tij bankare.
Në fund, KPK thotë se gjeti pasaktësi edhe për shpenzime kryesisht për shkollim të fëmijëve apo të ardhura të gjykatësit. Gjeti në disa raste shpenzime që nuk ishin deklaruar në deklaratat vjetore edhe pse duhej të ishin deklaruar dhe të ngjashme.
KPK megjithatë arriti në përfundimin se këto pasaktësi shpjegoheshin nga subjekti në deklaratën “veting” dhe nuk i quajti penalizuese. Po ashtu KPK thotë se nga hetimi administrativ shpenzimet justifikoheshin nga të ardhurat e familjes.
Në fund KPK vendosi të konfirmojë Zaganjorin, ndërsa pak ditë më pas Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi që rasti të apelohej.
BIRN