Home KRYESORE Vrasja e informatorit të policisë, flet babai i Alket Muhos:

Vrasja e informatorit të policisë, flet babai i Alket Muhos:

Policia ka shoqëruar shtatë persona për vrasjen e Alket Muhos në Memaliaj, i cili dyshohet se ishte informatori i policisë. Viktima është qëlluar me shtatë plumba në anën e majtë të trupit, në pjesën e pasme.

Babai i 43-vjeçarit, Gjolek Muho, i ka bërë thirrje shtetit për zbardhjen e vrasjes. Sipas tij, Alketi është vrarë me dy armë, një automatik dhe një çifte.

Babai: “Shteti shqiptar të nxjerrë vrasjen makabër të Alket Muhos në Rabije. Unë jam babai, Gjolek Muho. Babai i Alketit”.

Pyetje: “Është vrarë me dy armë”?

Babai: “Me dy armë. Ka pasur edhe çifte, edhe automatik. Kanë qëlluar një herë me automatik, pastaj… them unë me paraqitjen time them që ata kanë vajtur ia kanë futur te koka atje afër”.

Pyetje: “Dini gjë, ka pasur një konflikt pse ka ndodhur kjo gjë”?

Babai: “Konflikt ne nuk dimë. Konflikt kaq të hapur që të jetë kaq gjendja e rëndë. Nuk e dimë. Ta nxjerrin në qoftë se ka”.

Prokuroria ka konfirmuar se Muho është qëlluar me një automatik model 56, nga një distancë e afërt. Në vendngjarje janë zhdukur gëzhojat, pasi nuk është gjetur asnjë e tillë.

Grupi hetimor ka dyshime se armës automatike i është vendosur një rrobë për të mos lënë gëzhoja në vendin e krimit. Ndërkohë mësohet se Muho ka qenë duke folur në telefon me gruan momentin kur u qëllua.

Ajo ka dëgjuar krismat e armëve dhe ka shkuar e ka gjetur të shoqin të vrarë në arë. Një ditë para krimit në atë zonë, pranë fshatit Gllavë, policia ka sekuestruar disa paracela me kanabis, ndërsa ka vënë nën hetim dy persona./Opinion.al

Share: