Home Gjeo-Ekonomia Zbardhet vendimi, kriteret e reja për importin e makinave. Hynë në fuqi...

Zbardhet vendimi, kriteret e reja për importin e makinave. Hynë në fuqi më 1 janar

Pas 1 janarit, në vend do të lejohet vetëm importi i makinave të përdorura të standardit “Euro 5”. I njëjti rregull do të vlejë edhe për makinat e reja, edhe ato duhet të përmbushin normën “Euro 5”. Qeveria ka gati projektvendimin e ri për ndalimin e importit të mjeteve të përdorura të prodhuara para 2010-s.

“PANORAMA” zbardh të plotë vendimin e përbashkët të ministrave Blendi Klosi dhe Damian Gjiknuri, i cili vendos kritere të reja jo vetëm për makinat e përdorura, por edhe për motorët, furgonët, autobusët dhe kamionët. Vendimi përcakton se do të lejohet importi i makinave të përdorura, të cilat janë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Pra, makinat që i përkasin standardit “Euro 5” të shkarkimeve në ajër. Ndërsa për makinat e prodhuara para vitit 2010, nuk do të lejohet importi i tyre pas 1 janarit 2019. Për motorët e përdorur, furgonët dhe autobusët vendimi përcakton se duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet nga data e regjistrimit për herë të parë në Shqipëri.

“Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, në përputhje të plotë me legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis dhe kërkesat për disa ndotës në lidhje me të dhe në varësi të kategorizimit të automjeteve, sipas peshës dhe kohës së përdorimit, lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e RSH-së, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat plotësojnë kushtet e mëposhtme: Autoveturat e reja me zero km, që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën ‘Euro 5’ të Bashkimit Europian;

Mjetet e tjera motorike të reja si: motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1 me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën ‘Euro 5’ të Bashkimit Europian; Autoveturat e përdorura, të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në një shtet tjetër, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;

Mjetet e tjera motorike të përdorura si: motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, të gjitha ato që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në një shtet tjetër, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri; Autoveturat e reja me zero km, që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër të cilat përmbushin normën ‘Euro 5’ të Bashkimit Europian”, përcaktohet në vendimin e përbashkët të ministrave të Mjedisit dhe Infrastrukturës.

Share: