Home KRYESORE Zheji paralajmeron një luftë politike “dhëmb për dhëmb dhe sy për sy…”

Zheji paralajmeron një luftë politike “dhëmb për dhëmb dhe sy për sy…”

Nga Artur ZHEJI

Re të zeza që paralajmërojnë stuhi, po grumbullohen mbi kryet e politikës shqiptare që po shkon drejt një përplasjeje të fortë.

Sepse ka një peshore, interesash të grupeve të ndryshme sociale në Shqipëri, që është përmbysur dhe është nëpërkëmbur dhunshëm dhe në mënyrë arrogante, nga një palë e vetme, partia e sotme në pushtet dhe KM-ja që ka prodhuar ajo.

Në të vërtetë pasioni i mirëfilltë i KM-së, nuk është vetëm pushteti e paraja, influencat dhe kënaqësia për tu hakmarrë ndaj atyre që i kanë bërë më së shumti mirë, jo, jo, pasioni i tij lidhet me intensitetin e adrenalinës që përfton përditshmërisht.

Dhe adrenalina i rritet Km-së, kur mbyll sytë përgjysëm dhe mugëton vështrimin me një pëlhurë imagjinare imazhesh, si në një film të prodhuar nga truri i tij, ku mundësisht, të gjitha pemët e larta, që dje i kanë bërë hije apo e kanë sfiduar më parë, të jenë prerë dhe të dergjen përdhe.

Pamja që KM-ja ëndërron me sy hapur është një pyll njerëzor i prerë, dhe i populluar nga trungje të rrëzuar, që japin shpirt dhe klithin, që lëngojnë e lypin mëshirë me duart degë, drejtuar nga ai, pema e vetme e paprerë, e pyllit të rrëzuar.

Ky pasion, nuk mbetet një ëndërr apo një vegim që e përkëdhel KM-në pak përpara gjumit, por përkundrazi, është një platformë jetë-shkatërruese të të tjerëve, që ai përpiqet ta realizojë ditë pas dite.

Në të vërtetë, KM-ja, tejet i konsumuar nga pushteti, që e detyron të përsërisë gënjeshtra pas gënjeshtrash, gënjeshtra gjithmonë e më të trasha dhe pa fare fantazi, si ishin dikur, gënjeshtrat e viteve të para, ay pra, KM-ja, vdes nga dëshira për të thënë një çastë të vërtetën e tij: “Ju urrej të gjithëve sa jeni! Sepse vetëm unë jam, unë kam qenë dhe unë do të jem”

Çështje kohe është, kur do ta thotë ndonjë ditë, në një shpërthim marrëzie dhe në ndonjë krizë pagjumësie edhe këtë, por duket se, edhe të “tjerët”, ish miq apo kundërshtarë të përhershëm të tij, e kanë kuptuar më në fund, se ku shkon në fund të fundit “platforma e KM-së”.

Një shkretëtirë me politikanë dhe parti të përgjunjura dhe të plagosura për vdekje dhe vetëm KM-ja në këmbë, një gjysëm mbreti gjatosh, që argëtohet duke shkelur me këmbë tërë dynjanë përreth tij, në një kor psherëtimash të të agonizuarve, që KM-ja ti shkelë me këmbë edhe për të argëtuar fëmijët.

Kështu pra, ndonëse ka patur dhe ka ende shumë budallenj në rradhët e kundërshtarëve të KM-së, duket se nga halli apo nga frika e këtij skenari që po bëhet i qartë përmes mjergullës, tanimë politika opozitare e llogarive të vogla dhe e mashtruar shumë herë në mënyrën më absurd, është syhapur dhe në gjendje “lufte”.

Se çfarë prodhon lufta të gjithë e dimë.

Thuhet se do të jetë dhëmb për dhëmb dhe sy për sy…

Share: