Ngacmim nga operacioni vol – vo 4 për krimin e organizuar
Thënia e famshme e Don Korleones “do të bëj një ofertë që ju nuk mund ta refuzoni” është se krimi i organizuar i kërkon ndihmë politikës, për shkak të korrupsionit dhe të natyrës vetë – shërbyese të shumë institucioneve ligjore dhe politike, që t‘i lejojnë elitat ta plaçkisin të dobëtin sistematikisht.
Ngjarja në Bathore ku një grup njerëzish të rinj të organizuar, terrorizuan pasagjerët e furgonave duke qëlluar mbi forcat e ndërhyrjes së shpejtë, për të favorizuar një firmë autobuzash të linjës Bathore – Tiranë, për arsye të konkurrencës së pandershme, tregon se krimi i organizuar vepron atje ku korrupsioni i institucioneve publike shkel të drejtat e individëve në favor të një grupi kriminal.
Gjykata nga 20 të arrestuar mbajti vetëm katër persona në burg, të cilët kishin lidhje familjare me pronarët e linjës së autobuzit.
Kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve në botën e sipërmarrjes kriminale ia bëri të mundur Klement Balilit që nga të qënit një biznesmen i zakonshëm të shkonte te etiketimi “Eskobari i Ballkanit“. Operacioni vol – vo 4 dhe arrestimet e kryera këto dy ditë tregojnë se krimi i organizuar është rritur dhe po “lulëzon“ jo më në fushën e kanabisit por të përpunimit me laboratorë të kokainës.
Ashtu sikundër ekonomistët e parashikojnë, lidhjet e politikës me krimin e organituar, ligje që priren ta ndalojnë dhe jo ta kontrollojnë e kufizojnë kumarin, prodhimin, transportimin dhe tregtimin e drogës dhe legjislacionin tjetër që krijon tregje të zinj, në mënyrën tjetër, nxit dhunën kriminale, siç ishte rasti i ngjarjes te “Blloku“.
Natyrisht organizimi i një tregu të zi, që nis me anë të sigurimit të dhunës mbrojtëse, ka gjithashtu nxitës të fortë për t’u angazhuar në agresion, gjë që i karakterizon veprimet e dhunshme të mafiozëve si “biznes” dhe jo si çështje “personale”.
Lulëzimi i “industrisë“ së drogës, nxiti korrupsionin në polici rasti i Vlorës, rastet e arrestimeve të këtyre dy ditëve të fundit, tregon se si ish – zyrtarë kanë mbledhur rryshfete të mëdha nga kriminelët për arsye se në fakt, ata kanë “rojtarët e derës“ të tregjeve të paligjshme shumë fitimprurëse, sikundër e kemi në rastin e shfrytëzimit të mineralit të kromit në Bulqizë.
Përfundimisht: ngjashmëritë, më saktë se sa diferencat ndërmjet liderëve të krimit të organizuar, politikanëve të zakonshëm dhe zyrtarëve publikë, të dy palët i detyrojnë njerëzit të paguajnë për “mbrojtje” dhe të dyja portretizohen si të korruptuara dhe vetë – shërbyese, si dhe i mbulojnë krimet me një llustër të retorikës politike moralizuese.
Kësisoj, infiltrimi i krimit të organizuar në ekonomi është bërë si me anë të kërcënimit me dhunë, ashtu si dhe:
me anë të përdorimit të burimeve financiare si kontributi i firmave që simpatizojnë krimin e organizuar;
dërgesave/remitancave nga emigrantët nëpërmjet qarkullimit informal të bankës, kontrollit ndërkombëtar dhe blerjes së kompanive, infiltrimit në tregjet financiare ndërkombëtare nëpërmjet mjeteve të firmës;
veprimtarive tregtare: gurëve dhe metaleve me vlerë, naftës, etj;
veprimtarive klasike kriminale;
bashkëpunimit me punëmarrës ose funksionarë: pra korrupsionit.
Burimet e financimit të krimit të organizuar edhe pse jo plotësisht janë kanalizuar nëpërmjet sistemeve formale dhe informale, por burimet më të rëndësishëm kanë qenë:
të brendshmet – individuale dhe të firmës si paraja nën dorë dhe korrupsioni, diaspora – komunitetet emigrante: kontribute për mbrojtje;
niveli i lartë i krimit të organizuar: mashtrimi, prodhimi i paligjshëm dhe kontrabanda e drogës, pengmarrja, vjedhja me armë, trafikimi i qenieve njerëzore dhe investimet dhe bizneset legjitime: paraja përdoret për të blerë ndërmarrje, për të tjetërsuar prona si dhe për t’u angazhuar në biznese me fitim, veçanërisht, në industrinë e ndërtimit.
Duke marrë në konsideratë parashtrimin e mësipërm, ngacmim nga operacioni vol – vo 4, nuk më ngelet gjë tjetër të bëj vepse të pyes:
A E HA PESHKU I VOGËL PESHKUN E MADH?
Kasem Seferi