Home KRYESORE Ambasadorë të Kombit Shqiptar nuk janë vetëm Artistët!

Ambasadorë të Kombit Shqiptar nuk janë vetëm Artistët!

Nga Endrit Hoxhaj

Në çdo vend të botës të shkojnë shqiptarët, gjithëherë kokën e kanë pas në vendlindjen e tyre! Në këtë kuadër, kam vëne re, që momentalisht, vëmendje të madhe në mediat e Kombit Shqiptar marrin ata pak artistë me famë botërore. Vetëm ata marrin tituj honorifikë nga kryeministrat apo kryetarët e bashkive, në Shqipëri e Kosovë!

Me gjithë respektin që kam për artin e tyre, theksoj se ambasadorë të kombit tonë nuk janë vetëm Inva Mula, Ermonela Jaho, Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj, Blerim Destani, Eliza Dushku, Armando Kllogjeri, Sajmir Pirgu…! Absolutisht që ambasadorë të kombit tim janë dhe biznesmenët, mjekët, gazetarët, sportistët apo kandidatët e politikës botërore! Këta të fundit janë përzgjedhur politikëbërës në ShBA, Angli, Zvicër e shtete të tjera!

Kemi biznesmenë globalë që në firmat e tyre kanë punësuar puntorë nga të gjitha kombësitë, por më shumë shqiptarë! Kemi mjekë me famë botërore në të gjitha vendet e globit, por që kanë arritje fantastike në profesion, veçmas në ShBA! Kemi gazetarë në të gjitha mediat botërore si në FOX, BBC, CNN…!

Kemi bankierë me shkëlqim të madh në Amerikë, të cilët zhvillojnë politika bankare që merren si shembuj në botë! Kemi sportistë me medalie botërore! Me pak fjalë kemi shumë ambasadorë në të gjitha sferat e shoqërisë, qofshin këta femra apo meshkuj, për të cilët zor se kujtohet kush. Theksoj, që këta janë ambasadorë të mëdhenj të Kombit Shqiptar, të cilët duhen sjellë në vëmendjen e Shqipërisë.

Poltikanët e Shqipërisë dhe Kosovës japin medalie e tituj vetëm për disa individë të caktuar, përgjithësisht të artit! Dhe lënë në hije shumë shqiptarë të talentuar në punën e tyre të përditshme, që veçse janë ambasadorë të kombit, janë në radhë të parë njerëz të cilët ndihmojnë bashkëkombasit e tyre. Politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës i lënë në hije këta shqiptarë, për të mos i treguar popullit shembujt pozitivë të shkollimit të tyre jashtë vendit, sepse vetëm kështu mileti s’do kuptojë padrejtësitë dhe të vërtetat e zhvillimit ekonomik, prefesional e kulturor!

Gjithmonë këta ambasadorë bëjnë shumë për Shqipërinë dhe Kosovën, sesa vetë klasa politike e kombit shqiptar bën brenda kufijëve përkatës! Nuk duhet të harrojmë se ata janë bashkëkombas me gjak e vlera shqiptari, kështu që në një logjikë të thjeshtë, të gjithë shqiptarët kanë premisa dhe vullnet për t’u bërë të zotët, në lartësinë e inteligjencës që mbart populli ynë!

Aktualisht duhet t’u kushtohet më shumë vëmendje edhe këtyre njerëzve, të cilët nderojnë çdo ditë emrin shqiptar në botë! Në këtë katrahurë që është përfshirë sot Shqipëria, klasa politike e Kombit Shqiptar, ka nevojë të madhe jo vetëm për ambasadorët e artit!

Share: