Home KRYESORE Athina i dorëzon notë proteste ambasadores shqiptare

Athina i dorëzon notë proteste ambasadores shqiptare

Ministria e Jashtme greke i dorëzoi palës shqiptare një notë proteste për vrasjen e 35-vjeçarit Konstantinos Kaçifa, në Bularat.

Sipas të përditshmes greke “Kathimerini”, ambasadorja shqiptare në Athinë është thirrur në Ministrinë e Jashtme. Autoritetet greke kanë kërkuar nga pala shqiptare informacione të detajuara lidhur me ngjarjen.

Ngjarja e të dielës sipas mediave greke po trajtohet me shqetësim nga qeveria greke. Zëdhënësi i saj Dimitris Xanakopulos i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të jetë më i përmbajtur në deklarata.

“Në rastin kur flitet për një jetë të humbur duhen mbajtur tone të ulëta dhe nuk ka nevojë për agresivitet. Nuk duhet të nxitohet për të nxjerrë konkluzione dhe duhet të qëndrohet strikt në mesazhin e dërguar nga Ministria e Jashtme fill pas ngjarjes.”

E pranishme në ceremoninë e Bularatit, Ministrja greke e Kulturës, Mirsini Zorba hodhi poshtë versionin e mediave greke, sipas të cilave 35-vjeçari u vra për uljen e flamurit grek nga policia. Në festen përkujtimore për të rënët e luftës italo-greke, sipas saj, u dëgjuan të dy himnet ku ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë greke dhe shqiptare.

Në Athinë të rinjtë e Vorio Epirit u organizuan pranë Ambasadës Shqiptare duke bërë homazhe me fotografinë e Konstandin Kaçifës.

Pas himnit ata lëshuan thirrjet “vrasës, vrasës”. Agimi i Artë organizoi një tubim proteste para Ambasadës Shqiptare në Athinë. Kjo parti në një deklaratë të ditës së hënë e quan 35-vjeçarin etnomartir dhe thotë se ishte policia shqiptare që u përpoq të shkaktonte incidentin.

Tv Klan

Share: