Home KRYESORE Atje ku nuk ka “barmëdhenj”, por ka barkpangopur! Nga Kasem Seferi

Atje ku nuk ka “barmëdhenj”, por ka barkpangopur! Nga Kasem Seferi

Në vigjilje të pushtetit, Kryeministri Rama 1, ndër masat e para që mori ishte eleminimi i barderrave/barkmëdhenjeve të administratës tatimore, veçanërisht, atyre që nuk u “shlyheshin njollat e yndyrës” në këmishë, me “barkvegjël – të uritur” të Rilindjes.

Për mua, si profesionist i vjetër dhe me përvojë jo të pakët në lidhje me fushatat partiake të spastrimit të personelit të administratës tatimore, veçanërisht, atëkohë, në Policinë Tatimore, tashmë në Hetimin Tatimor, ku kanë vegjetuar ish – punonjës së Policisë së Shtetit dhe ish oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes, ka një kuptim shumë domethënës jo vetëm kjo “risi” e vogël e Rilindjes.

Kulmi i Rilindjes në administratën tatimore ishte Briseida Shehaj.

“Mallkuar qoftë program PORTOKALLI që na e hoqi nga drejtoreshë, që të kujtonte thënien e kahershme: “Pëllumbeshë, moj pëllumbeshë, nga puntore/arkëtare në bankë drejtoreshë.”.

Përdorimi, së fundi, edhe i funksionit të kontrollit tatimor (më saktë inspektorëve të kontrollit tatimor) në këtë paraprirje të fushatës së zgjedhjeve vendore për të bërë para për fushatën e zgjedhjes vendore më ngacmon për të bërë një analizë se çfarë ka ndodhur në administrimin tatimor.

Dhe për këtë, më e fundit dhe më e neveritshmja është dëshmia e një ish punonjësi tatimor të kontrollit tatimor të dy dekadave, të cilën dua ta citoj besnikërisht, sikundër ai ma tha:

“Jo se kemi qenë ëngjëj, por pazarin e bënim në fund. Këta vijnë dhe ta thonë troç: “Sa do të japësh?”.

Shikoj në krah të super – Ministrit Ahmetaj, një individ me të cilin kam punuar jo pak vite dhe, jo për arsye personale, më ngacmon barku dhe koka e tij e madhe, me të vetmen arsye se ka punuar në administratën tatimore që prej fillimit të saj (në vitin 1991) dhe nuk e ka gjetur gjë, të paktën deri në vitin 2007.

Ky individ, ç’është e vërteta, ka njohuri në administrimin tatimor edhe pse jo në të njëjtin nivel të thënies/deklarimit të së vërtetës si në lidhje me administrimin tatimor ashtu edhe në lidhje me deklarimin e pasurisë.

E bëra parashtrimin e mësipërm për Kryeministrin Rama 1 dhe tashmë 2 për t’i dhënë një përshkrim të shkurtër të së vërtetës në administrimin tatimor, pikërisht, për zevendësimin e barkmëdhenjve me “barkvegjëlit”.

Ku jemi sot?

Po e filloj me fjalën integritet që është koncepti i qëndrueshmërisë së veprimeve, vlerave, metodave, masave, parimeve, pritshmërive dhe rezultateve përfundimtare të administrates tatimore.

 

Do ta vazhdoj, teorikisht, me fjalët lidership dhe angazhim që ka lidhje direct me përgjegjësinë e parë për të parandaluar korrupsionin, përgjegjësi që nuk duhet të qendrojë vetëm te shefi ekzekutiv i administratës tatimore, por dhe te stafi ekzekutiv i menaxhimit, të cilët duhet të demonstrojnë nivele të lartë të integritetit dhe angazhimit që lufta kundër korrupsionit të ruhet për një kohë të gjatë.

Për këtë qëllim menaxherët ekzekutivë dhe mbikqyrësit e Rilindjes duhej të adoptonin rolin e një lidershipi të fortë, si dhe të pranonin një nivel të përshtatshëm të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë për mbajtjen e niveleve të lartë të integritetit në të gjithë aspektet e punës së administratës tatimore, si dhe duhej të demonstronin, gjithashtu, një perqendim të qartë joekuivok mbi integritetin, me qëllim që të shiheshin si shembuj të qendrueshëm me shpirtin e Kodit të Sjelljes.

NUK E BËNË!

Po ec në drejtim të kuadrit rregullator, ose më qartë legjislacionit tatimor, rregullave, udhërrëfyesve administrativë dhe proçedurave që duhet të harmonizoheshinn dhe të thjeshtoheshin në shkallën më të madhe të mundshme me qëllim që formalitetet e administratës tatimore të mund të proçedonin pa barrë të panevojshme, proçes ky që përfshin adoptimin e konventave ndërkombëtare, standarteve dhe instrumenteve të tjerë.

Praktikat duhet të rishikoheshin dhe rizhvilloheshin për të eleminuar “rrugët e ngushta” dhe dublimin e panevojshëm, ndërsa sistemet dhe proçedurat duhet të ishin në pajtim me konventat ndërkombëtare të miratuara, me standartet, si dhe me parimet, përgjithësisht të pranuara, të kontabilitetit.

NUK E BËNË!

Po kaloj te tejdukshmëria/transparenca, marrëdhëniet e administratës tatimore me tatimpaguesit, që kanë të drejtën të presin një shkallë të lartë të sigurisë dhe parashikueshmërisë dhe, për këtë qëllim, tatimpaguesve u duhej bërë e njohur, publikisht: legjislacioni tatimor, rregullat dhe proçedurat dhe udhërrëfyesit administrativë, që të zbatohen lehtësisht, në mënyrë uniforme dhe të qendrueshme.

Baza, mbi të cilën mund të ushtrohen fuqitë e maturisë, duhej të përkufizohej qartësisht, duhej të vendosej rishikimi dhe ankimi administrativ për të siguruar një mekanizëm që tatimpaguesit ta sfidojnin, ose kërkonin nga administrata tatimore: rishikimin e vendimeve, praktikave dhe veprimeve të tjerë administrativë.

Nga administrata tatimore duhej të vendosej (jo vetëm në letër) karta e shërbimit për tatimpaguesit, apo standartet e performancës që vendosin nivelin e shërbimit që do të parashikohej nga tatimpaguesit.

NUK E BËNË! MADJE E KEQËSUAN!

Në mënyrë tipike korrupsioni ndeshet në situata ku përdoren praktika të vjetëruara dhe joefiçente dhe/ose atje ku tatimpaguesit kanë një nxitës për t’u përpjekur të shmangin proçedura të ngadalta, ose të ngarkuara me anë të ofrimit të mitës/rryshfetit dhe pagimit të kuotave lehtësuese, arsye kjo përse administrata tatimore duhej të reformonte dhe modernizonte sistemet e saj, si dhe proçedurat për të eleminuar avantazhet e perceptuara që mund të fitohen nëpërmjet kërkesave që shmangin kërkesat zyrtare.

Nisma të tilla të reformës dhe modernizimit duhet të jenë të përgjithshme në natyrën e tyre dhe perqendrimi/fokusi duhet të jetë në të gjithë aspektet e operimeve dhe performancës së administratës tatimore, si dhe të menaxhimit të burimeve njerëzore.

U BË SË PRAPTHI!

Parandalimi dhe kontrolli i korrupsionit në administratën tatimore mund të ndihmohet me anë të vënies në jetë të një radhe mekanizmash të përshtatshëm monitorimi dhe kontrolli të tillë si:

programet e verifikimeve të brendshme, regjimet e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm, investigimi dhe përndjekja dhe të tillë regjime duhet të godasin një balancë të arsyeshme ndërmjet strategjive pozitive për të inkurajuar nivelet e lartë të integritetit dhe strategjive ndëshkuese të projektuara për të identifikuar rastet e korrupsionit dhe për të displinuar ose përndjekur personelin e përfshirë në veprime korruptive;

personeli i administratës tatimore, tatimpaguesit dhe publiku në përgjithësi duhet të inkurajohen për ta denoncuar korruspionin, veprimin joetik, ose të paligjshëm dhe një informacion i tillë i siguruar duhet të investigohet shpejt nëpërmjet mënyrës së menjëhershme pa harruar të mbrohen burimet e informacionit.

AS QË ËSHTË PËRMENDUR NDONJËHERË!

Kodi i Sjelljes, konsiderohet një element kyç në çdo program efektiv integriteti. Është zhvillimi, çështja kryesore, si dhe pranimi i një kodi të përgjithshëm sjellje, që vendos në terma shumë praktikë dhe jo të dykuptimtë, sjelljen e parashikuar për të gjithë personelin e administratës tatimore.

Dënimet për mospërmbushje të kërkesave të legjislacionit tatimor, duhej të artikuloheshin në ligjin e proçedurave tatimore, të kalibruar për t’iu përgjigjur seriozitetit të shkeljes dhe të mbështetur nga kushte të përshtatshme administrative dhe legjislative, për arsye se rastet e korrupsionit që do të zbuloheshinn do të meritonin të publikoheshinn për të siguruar që stafi të ishte i vetëdijshëm në lidhje me angazhimin e administratës tatimore për t’u marrë, seriozisht, me çështjet e integritetit.

AA QËMUND TË BËHET FJALË!

Menaxhimi i burimeve njerëzore, do të thotë, as më pak dhe as më shumë, vënie në jetë e politikave të shëndosha të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe proçedurave, gjë që luan një rol madhor në luftën kundër korrupsionit, për arsye se praktikat e menaxhimit të burimeve njerëzore, të vërtetuara si të dobishme në kontrollin ose eleminimin e korrupsionit në administratën tatimore do të përfshinin:

  • sigurimin e pagës së mjaftueshme, shpërblime dhe kushte të tjerë që zyrtarët tatimorë të ruajnë një standart të pranueshëm jetese;
  • rekrutimin dhe mbajtjen e personelit që ka të ngjarë të mbajë standarte të lartë të integritetit;
  • sigurimin e përzgjedhjes së stafit dhe proçedurave të promovimit që sigurojnë barazi të mundësisë dhe janë të lirë prej animit ose favorizimit, si dhe bazohen mbi parimin e meritës;
  • sigurimin që vendimet në zhvendosjen, rotacionin dhe rivendosjen e stafit të marrin në konsideratë nevojën për të hequr mundësitë për zyrtarët që mbajnë pozicione të sikletshme për periudha të gjata kohe;
  • sigurimin e trajnimit në përputhje me kërkesat e kohës dhe zhvillimit profesional të personelit të administratës tatimore mbi rekrutimin dhe nëpërmjet karierës së tyre për të promovuar vazhdimisht dhe përforcuar rëndësinë e ruajtjes së standarteve të lartë profesional dhe të etikës;
  • vënien në jetë të sistemeve të përshtatshëm të vlerësimit dhe menaxhimit, që përforcojnë praktikat e shëndosha dhe që forcojnë nivelet e lartë të integritetit personal dhe profesional.

JA  KE FUT KOT PLAKO!

Morali dhe kultura organizative e administratës tatimore tregon se korrupsioni ka të ngjarë të ndodhë në pjesën më madhe të administratës tatimore, pikërisht atje ku morali është i ulët dhe personeli nuk e ka krenarinë e reputacionit që duhet të ketë një administratë tatimore, për arsye se ka të ngjarë që personeli të veprojë me integritet vetëm kur morali është i lartë; pra, atje ku praktikat e menaxhimit të burimeve njerëzore janë të drejta, si dhe atje ku ka mundësi të arsyeshme për zhvillim të karierës dhe për progres, kushte këto që personeli të përfshihet në mënyrë aktive në programin antikorrupsion dhe të inkurajohet të pranojë një nivel të përshtatshëm të përgjegjësisë për integritetin e administratës tatimore.

KA EDHE DREJTORË BURGJESH NË HETIMIN TATIMOR!

Marrëdhëniet me sektorin privat. Administrata tatimore duhet të priret drejt marrëdhënieve të hapura, transparente dhe produktive me sektorin privat dhe, për këtë qëllim duhet t’i inkurajojë grupet e tatimpaguesve, shoqatat përfaqësuese të tyre si dhe të tjerë të interesuar që të pranojnë një nivel të përshtatshëm përgjegjësie dhe përgjegjshmërie në lidhje me problemet e integritetit, për identifikimin dhe vënien në jetë të zgjidhjeve praktike.

VETËM KANË KUNDËRSHTUAR DHE KUNDËRSHTOJNË PËR POLITIKA TATIMORE AUTORITARE!

Një nga arsyet kryesore e rrëzimit të një qeverie është politika tatimore e keqe dhe administrimi i saj i keq.

“LE TË BËJMË … QEJF!“.

Kasem Seferi

Share: