1. Se një popull është në fundosje e sipër, kuptohet, kur merr vesh se me çfarë krenohet ai: me të tashmen apo me të kaluarën! Nëse mungojnë shëmbëlltyrat në të tashmen, atëherë krenaria me të kaluarën, është humbje energjie dhe shpërfillje e jetës reale, ku njeriu ka mundësi për të krijuar.
Nëse shumica përpunon dhe mburret me të kaluarën, atëherë e tashmja gjallon në realitetin historik të së kaluarës, por mungon krijimi i historisë së re për pasuesit dhe kjo mosprani, ushqen me iluzione, qetëson dhe manipulon, sepse përtyp vetëm historinë, por nuk ndërton ardhmërinë. Ardhmëria mund të ndërtohet vetëm me kontributin e përditshëm, të sotshëm dhe vetëm nëse e tashmja, është kreative, prodhuese dhe efektive!
2. Më mirë do të fotografoja Skënderbeun në shesh, se sa edhe veten pranë ose para tij, nga frika se prish imazhin, që gjendet pranë, ose pas meje.
Më mirë do të fotografoja përmendoren e Adem Jasharit, se sa edhe veten pranë, ose para tij, sepse do të dëmtoja flijimin me buzëqeshjen time dhe vështrimin qortues të tij.
Më mirë do të fotografoja monumentin e Nënë Terezës vet në shesh, se sa edhe veten para saj apo krejtësisht pranë saj, sepse mund të dëmtojë fotografinë dhe përkushtimin e saj.
Shumë personalitete, do të fotografoja nga disa hapa larg, sepse ai apo ajo, nuk ka shndërruar jetën e vet në vepër, në përmendore dhe nuk është flijuar për t‘u fotografuar unë pranë tij, pranë saj, por për ta fotografuar unë atë dhe për të mësuar unë prej tij, ose prej saj.
3. Pasi lexova mendime nga recensione për librin e sapo botuar të Stephen Hawking, më shtyri të mendojë pohimi i tij, se zhvillimi i jetës, mund të jetë nisur edhe në planetë tjerë, por qelizat, janë vet shkatërruar nga kushtet e pavolitshme më vonë! Togfjalëshi “janë vet shkatërruar” më shtyri të mendojë më shumë dhe aty më shkrepi ky mendim:
Atëherë as ne nuk vdesim!
Trupi jonë shkatërron vetveten. Nga një sëmundje, nga mosfunksionimi i një apo i më shumë organeve. Njeriu mund të vdesë vetëm nga ndikimi i jashtëm, nga dhuna e jashtme, si për shembull, nga një fatkeqësi, ndonjë aksident, plumb, ngufatje etj., por nëse jeta jonë shuhet vetvetiu në pleqëri apo më herët, atëherë ne nuk vdesim, por ne vet shkatërrohemi. Shuhemi!
Vet shkatërrimit i nënshtrohen të gjitha gjësendet, që ekzistojnë në natyrë, sepse vet shkatërrohen bakteret, planetët dhe galaktikat, pra çdo gjësend, që ka formë, që ka materie apo që ndjehet vetëm me shqisa ndijimi, i gjallë apo i pajetë. Në atë ecuri, ndryshon vetëm afati i vet shkatërrimit. Si ndërtimi dhe lindja, edhe vet shkatërrimi, duhet të jetë ligj universal i pandryshueshëm!
Pra vdekja e shkaktuar nga jashtë mund të quhet vdekje, por kur trupi humb jetën, sepse i shkakton dëme të pandreqshme vetvetes, atëherë ai shuhet, vet shkatërrohet, por siç konstaton në fund Hawking, gjenet jetojnë te pasardhësit. Domethënë, nuk shuhemi tërësisht, por
kalojmë jetën te pasardhësit, rrjedhimisht, shuhemi përgjithmonë, nëse nuk lëmë pasardhës pas vetes.
4. Duke u bazuar në faktet, të cilat i prodhon politika shqiptare, nuk shihet asnjë provë, e cila mund të mënjanojë bindjen, se pas dy shekujve, populli shqiptar nuk do të ekzistojë më! Sipas sociologëve dhe dijetarëve të psikologjisë sociale, pjesëtarët e një populli të mërguar, asimilohen më së largëti në brezin e katërt, d.m.th. pas 100 viteve, por edhe më herët! Politika shqiptare mund të mburret me dy suksese: Vetëpasurimin dhe prodhimin e përhershëm të rrethanave dhe kushteve për mërgim!