Në më shumë se një rast të dyshimtë, raportojnë burime nga ministria e jashtme shqiptare, ministri Ditmir Bushati është kontaktuar në mënyrë të çuditshme nga persona që më pas janë identifikuar si gazetarë grekë.
Në forume të ndryshme, takime rajonale, samite e konferenca, individë të veshur civilë, të identifikuar me bexha dhe mundësisht duke mbajtur diktofonë ose blloqe në duar, janë shfaqur miqësorë ndaj ministrit, janë afruar dhe të buzëqeshur kanë dashur t’I japin muhabet.
“Hë, c’kemi zoti Ministër, ç’bëhet në Shqipëri? Unë kam qenë vjet. Më ka pëlqyer shumë. Bëra një artikull pozitiv,” i tha një reporter grek në Bruksel.
Teksa Ditmiri e përgëzoi, greku shtoi befas: “Ehh, ka rënë pjaca në Greqi. Ne gazetarët kemi shumë shpenzime. Do flasim, do flasim…” dhe iku.
Në një rast tjetër, dy gazetarë fqinjë i prenë rrugën në Korçë, pasi u nda nga takimi dypalësh me Kotzias.
“E mo, ç’thoshte ai rrumbullak ministri ynë? Zoti Bushati, shumë e bukur Korça, bravo. A do ti që të shkruajmë nja dy reportazhe të mira?”
Ministri u tha, “po mirë, si të doni,” dhe iku, duke i lënë paksa në siklet.
Në një konferencë në Zagreb, një analist i njohur politik nga Athina, Kapakis Tenxheropulos, i preu rrugën. “Kam shumë respekt,” i tha, “hajde të të jap një kafe”.
-Jo jo, sapo e piva zoti Kapak, – ja ktheu Bushati i shastisur – kam takim me ministren austriake, do m’falësh qirje Tenxhere….
Por analisti e kapi nga krahu. “Por mirë re file,” i përshpëriti, “ky topolaku Kotzias s’la gazetar shqiptar pa futur në listë pagesa, ndërsa ne mezi e shtyjmë me sufllaqe! Ti nuk do ta vësh dorën në zemër? Qoftë dhe për reciprocitet! Ai paguan tuajët, ti paguaj ne!”
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që çfarë nuk bëri për t’u futur në ndonjë listë, por ahaaa…